Mungojnë katër nga dhjetë të akuzuarit, shtyhet gjykimi për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

20191115_095234
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Nëntor 15, 2019

 


Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të vazhdohet shqyrtimi gjyqësor ndaj nëntë studentëve dhe një zyrtareje të Universitetit të Prishtinës (UP), mbi të cilët rëndojnë akuzat për keqpërdorime me regjistrim të studentëve.

Te premten në sallën e gjykimit nuk janë paraqitur studentët e akuzuar, Edona Sallahu, Rajmonda Osmani, Daut Ademaj dhe Anton Jakaj, ndërsa aty ishin të akuzuarit Behare Bajrami, Mimoza Beqiri, Betim Ismaili, Ardian Hamiti, Ermal Duraku dhe Ilir Murati.

Përderisa mbrojtësi i të akuzuarës Edona Sallahu, avokati Bahtir Troshupa e kishte njoftuar gjykatën se klientja e saj nuk do të mund të merrte pjesë në këtë seancë, të akuzuarit Rajmonda Osmani dhe Daut Ademaj, nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre.

Avokati Ali Beka, mbrojtës i të akuzuarit Anton Jakaj, tha se ai e ka njoftuar klientin e tij për këtë seancë, por nuk e din arsyen për mungesën e tij, ndërsa kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, tha se për Jakajn gjykata nuk kishte provë se ftesa i ishte dorëzuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, në sallën e gjykimit ishte i pranishëm edhe prokurori Rafet Halimi.

Gjykatësi Ibrahimi, vendosi që këtë seancë të shtyjë në afat të pacaktuar, për të cilën palët do të ftohen në mënyrë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqiri, Behare Bajrami, Betim Ismaili, Ardian Hamiti, Ermal Durakut, Anton Jakaj, Daut Ademaj, Ilir Murati, Rajmonda Osmani dhe Edona Sallahu, të cilët akuzohen se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

Mimoza Beqiri, Behare Bajrami, Betim Ismaili dhe Ardian Hamiti me anë të dokumenteve të falsifikuara thuhet se kanë nxjerrë vërtetime për Lirije Bajramin, Arbenita Gashin, Enver Hotin, Dafina Aliun dhe të tjerë si dhe fletëpagesa të semestrit për David Bibaj, Arbnor  Mustafën dhe Arbnora Maxhunin, kinse të njëjtat dokumente janë lëshuar nga Administrata Qendrore e Universitetit të Prishtinës.

Me këtë veprim, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, nga neni 398, i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2100 euro dhe 5000 euro për një regjistrim.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.

E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.

Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme duke përfituar shuma prej 2100 euro e deri në 5000 mijë euro.

Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.

Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.

Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi