MUNGOJNË KATËR DËSHMITARË NË RASTIN E KORRUPSIONIT, GJYKATA URDHËRON SJELLJEN E TYRE ME DHUNË

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjilan – Dëshmitarët Enver Krasniqi,Valon Maliqi,Novica Filiq dhe Hajrush Halili edhe pse janë ftuar me rregull nga gjykata, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, nuk janë paraqitur në seancën kundër Xhemil Pirevës, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe falsifikim të dokumentit zyrtar. Kryetari i trupit gjykues, Afrim Shala, mori aktvendim që të lëshohet urdhëresë për sjellje në gjykatë të dëshmitarëve, në seancën e radhës e cila do të mbahet më 20 prill 2016, në ora 09:30.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar pa prezencën e dëshmitarëve, ku të akuzuarit Xhemil Pireva iu lexua aktakuza nga prokurori Shaban Spahiu. Sipas prokurorit, Xhemil Pireva akuzohet se më 8 nëntor 2014, si zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Kamenicës, ka imituar nënshkrimin e Kryetarit të Këshillit Lokal të Lagjes “Qamëria”, Enver Krasniqi, duke firmosur tre vërtetime në emër të Cveta Kostiq, Zllatka Dejkoviq dhe Miljana Stamenkoviq nga Kamenica, me të cilin kishte vërtetuar se të njëjtit janë banorë të përhershëm të lagjes “Qamëria” edhe pse të njëjtit nuk ishin banorë të kësaj lagje.

Poashtu i akuzuari Xhemil Pireva, sipas prokurorisë, gjatë peridhës 15 tetor deri më 10 dhjetor 2014, kishte kërkuar ryshfet dhe atë dy herë nga 50 euro nga tani i dëmtuari Novica Filiq, për kryerjen e një veprimi që kishte qenë i obliguar ta kryente sipas detyrës zyrtare, për lëshimin e një ekstrakti të lindjes për vjehrrin e të dëmtuarit Filiq, përkatësisht babain e bashkëshortes së tij, Zhivojin Markoviq.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë