Mungojnë i dëmtuari e dëshmitarja, dështon gjykimi ndaj dy mjekëve të akuzuar për marrje ryshfeti

20210628_133153
Author

Raporton: Medina KADRIU

Qershor 28, 2021

Prishtinë –  Në mungesë të dëmtuarit Gazmend Halili dhe dëshmitares Vjollca Maloku, ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj Petrit Xhakës e Liridon Ahmetit, të cilët po akuzohen për  keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Lidhur me mungesën e të dëmtuarit Halili, kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica ka bërë të ditur se ftesa është dërguar me rregull dhe nga Stacioni Policor i Vitisë janë informuar se i njëjti gjendet në Gjermani

“Kemi kontaktu edhe me Sokol Halilin, familjar i tij dhe ka njoftuar se është në Gjermani dhe pritet të kthehet gjatë muajve të verës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, i dëmtuari ka kontaktuar edhe me gjykatën dhe ka thënë që është i gatshëm të jap dëshminë e tij përmes videolinkut.

Mirëpo, meqenëse pritet që i njëjti të kthehet për pushime në Kosovë, ajo bëri të ditur se kanë konsideruar se është më mirë që i njëjti të jap dëshminë e tij në gjykatore, pasi edhe të pandehurit kanë kërkuar një gjë të tillë.

Sa i përket dëshmitares Vjollca Maloku, për të njëjtën u tha se e ka pranuar ftesën në formë të rregullt me 28 maj 2021, por se mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndërkaq, sa i përket angazhimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare për të pandehurit, gjyqtarja Krasniqi-Jashanica bëri të ditur se ka biseduar me kryesuesin e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe është shprehur gatishmëria që të angazhohen dy avokatë.

Për të njëjtit ajo tha se janë ftuar, por që nuk prezantojnë në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo seancë është shtyrë në kohë të pacaktuar, derisa të konfirmohet kur i dëmtuari do të jetë në Kosovë.

Krasniqi-Jashanica bëri të ditur se palët do të njoftohen me ftesa për seancën e ardhshme dhe se avokatët e caktuar përmes detyrës zyrtare do të pajisen me të gjitha shkresat e lëndës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj Petrit Xhakës dhe Liridon Mehmetit, për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, Xhaka në cilësinë e mjekut, ndërsa Mehmeti në cilësinë e infermierit, kishin marrë 100 euro ryshfet, nga i dëmtuari Gazmend Halili, babai i pacientes S.H, për përcjelljen e saj me autoambulancë për shërim në Tiranë.

Ky rast ishte lajmëruar në polici nga vet i dëmtuari Halili, ndërsa dy të akuzuarve policia u kishte konfiskuar dy kartëmonedha në vlerë prej 50 eurosh. /BetimipërDrejtësi