Mungojnë i dëmtuari dhe dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për dëmtim të pasurisë

315
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Qershor 10, 2021

Viti – Në mungesë të dëmtuarit Përparim Deliu dhe dëshmitarit Ismajl Zenuni, është shtyrë seanca e paraparë për të enjten, në rastin ku Driton Deliu po akuzohet për asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Për të dëmtuarin Përparim Deliu, gjykatësja Blerina Jakupi-Ramadani tha se në fletëkthesë thuhet se i njëjti gjendet jashtë vendit. Ndërsa për dëshmitarin Ismajl Zenuni, gjykatësja tha se nuk e ka arsyetuar mungesën e tij, edhe pse ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt.

Prezent në sallë të gjykimit ishin i pandehuri Deliu dhe prokurori Halim Borovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësja Jakupi-Ramadani seancën e së enjtes e ka shtyrë në kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Driton Deliu, akuzohet se më 18 prill 2020, në kohë të pacaktuar, në rrugën “Elena Gjika” në Viti, me dashje ka dëmtuar pasurinë e paluajtshme, arën e mbjellë me grurë me sipërfaqe prej 27, 61 ari, pronë e djalit të axhës –tani të dëmtuarit Përparim Deliu.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, për shkak të mosmarrëveshjes së mëhershme rreth rregullimit të trashëgimisë së pronës në fjalë, pa leje dhe autorizim të pronarit, shkon tek ara e mbjellë me grurë, i lëvron 3 ari sipërfaqe dhe i mbjellë me misër. Në këtë mënyrë thuhet se ai, me veprimet e tija të kundërligjshme, të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerë të pa përcaktuar.

Për këtë, Deliu akuzohet se ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi