Mungojnë i akuzuari, i dëmtuari dhe tre dëshmitarët, shtyhet gjykimi për fajde dhe sulm

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Për shkak të mungesës së të akuzuarit Liridon Podrimja, të dëmtuarit Labinot Thaqi dhe dëshmitarëve Vllaznim Podrimja, Klinton Gjidodaj dhe Migjen Frrokaj, ka dështuar të martën seanca në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Në këtë rast, Podrimja akuzohet se i kishte dhënë 2 mijë euro hua të dëmtuarit Labinot Thaqi, me kamatë prej 300 eurosh në muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Podrimja, gjykatësja Ilirjana Hoti tha se i njëjti mungon për shkaqe shëndetësore, për çka mbrojtësi i tij, avokati Prek Kola ia ka dorëzuar gjykatës një raport mjekësor.

Ndërsa, sa i përket mungesës së të dëmtuarit Thaqi dhe dëshmitarit Podrimja, gjykatësja Hoti tha se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Për dëshmitarin Gjidodaj, gjykatësja tha se në fletëkthesë konstatohet se ka udhëtuar jashtë vendit, ndërsa për dëshmitarin Frrokaj konstatohet se ai është i panjohur në fshatin Planqor.

Avokati Kola i ka propozuar gjykatës që seanca e radhës të caktohet në dhjetor, pasi që dy dëshmitarët që munguan në këtë seancë mund të vijnë për festat e fundvitit.

Në këto rrethana, seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 21 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Liridon Podrimja po akuzohet se më 14 mars 2018, në Gjakovë, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë materiale të të dëmtuarit Labinot Thaqi, kontrakton shumë jopropocionale me të dëmtuarin.

I akuzuari, sipas aktakuzës, i ka dhënë hua në shumë prej 2 mijë euro para të gatshme me kamatë (fajde) mujore prej 300 eurosh të dëmtuarit Thaqi, e në të njëjtën kohë e ka detyruar të dëmtuarin të bëjë kontratë fiktive noteriale për shitjen e automjetit “BMW” si garanci pagese, e cila kontratë nuk është jetësuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se kur i dëmtuari nuk i bën pagesën e kamatës në emër të fajdes, i akuzuari më 16 nëntor 2018 me forcë ia merr automjetin.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Sipas akakuzës, i akuzuari Podrimja po akuzohet se më 16 nëntor 2018, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin Labinot, kur i dëmtuari refuzon të akuzuarit t’ia japë kamatën për borxhin e dhënë me fajde dhe e kundërshton t’ia japë automjetin sipas kontratës si në pikën e parë të aktakuzës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë