Mungojnë ekspertet mjekësor, paditësi kërkon shtyrje të seancës ndaj MPMS-së

Rasti i MPMS-se 20.02.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Shkurt 20, 2019

Prishtinë –  Edhe pse nga ana e gjykatës ishin ftuar në mënyrë të rregullt, të mërkurën ekspertët mjekësor nuk kanë prezantuar në seancën e paraparë në Departamentin Administrativ, në rastin ku Kadrush Maksuti ka paditur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) lidhur me njohjen e të drejtës në pension për persona me aftësi të kufizuar.

Mungesa e ekspertëve mjekësor, të cilët ishin ftuar për të treguar gjendjen shëndetësore të paditësit, ka bërë që avokati Bahtir Troshupa, përfaqësues i paditësit Maksuti të kërkojë shtyrje të seancës.

Ndërsa gjykatësja Liirje Maksutaj aprovoi propozimin e avokatit Troshupa, duke shtyrë seancën për datën 19 mars 2019 në orën 14:00 , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kadrush Maksuti kishte paraqitur padi në Departamentin Administrativ më 4 gusht 2016, duke kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, me të cilin atij iu ishte refuzuar kërkesa për pension për persona me aftësi të kufizuar.

Sipas vendimit të kësaj ministrie, të marrë më 7 korrik 2016, paditësi nuk i kishte plotësuar kushtet e nevojshme për përfitimin e kësaj të drejte në pension, andaj ishte refuzuar ankesa e tij ndaj vendimit të shkallës së parë, ku komisioni mjekësor kishte vendosur që Maksuti nuk kishte dokumentacioni e mjaftueshëm për të fituar këtë të drejtë.

Ndaj këtij vendimi Maksuti ka paraqitur padi në gjykatë duke kërkuar anulim të vendimit. /Betimipërdrejtësi