Mungojnë dy të akuzuarit, shtyhet gjykimi se pa autorizim hynë në sistemet kompjuterike duke shkaktuar dëm 100 mijë euro

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë –  Për shkak se i akuzuari Lulzim Grajqevci s’ka prova që është ftuar me rregull, ndërsa adresa e  të akuzuarit Enlirat Ibishi rezultoi e panjohur, ka dështuar gjykimi ndaj tyre të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ndaj të akuzuarit Ibishi, është lëshuar urdhëresë për verifikim adrese.

Enlirat Ibishi dhe Lulzim Grajqevci po akuzohen se pa autorizim kanë hyrë në sistemin kompjuterik të Kompanisë “Mess-Technik” duke bërë shlyerjen e disa të dhënave të rëndësishme dhe kësaj kompanie i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 100 mijë euro.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Ibishi, gjykatësja Edita Çanta deklaroi se nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë rezulton se pala është e panjohur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj tij, gjykatësja ka Çanta lëshuar urdhëresë për verifikim adrese.

Po ashtu, në këtë seancë ka munguar edhe i akuzuari Grajqevci, për të cilin gjykatësja tha se ende nuk është kthyer fletëkthesa në gjykatë për të konstatuar nëse i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, i pranishëm në këtë seancë ishte vetëm prokurori Eset Rama.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e kësaj seance, seanca e shqyrtimit fillestar është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lulzim Grajqevci dhe Enlirat Ibishi po akuzohen për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”.

Aktakuza thotë, se të pandehurit Grajqevci dhe Ibishi, pa autorizim secili veç e veç kanë hyrë në sistemin kompjuterik të kompanisë “Mess-Technik”, në të cilën kanë punuar një kohë, duke bërë shlyerjen e disa të dhënave të rëndësishme të kësaj kompanie.

Në aktakuzë thuhet se më 11 dhjetor 2014 derisa ankuesi Armond Aliu sipas log-fail-it ka filluar një aktivitet në databazën e kompanisë “Mess-Technik”-Graz –Austri, të cilën e mirëmban Kompania “Kosovo “MT Software Development” në Prishtinë, i njëjti ka vërejtur se në softuerin- databazë janë fshirë të gjitha databazat me “back up”.

Tutje, sipas aktakuzës këto databaza përmbanin të dhënat e klientëve dhe të partnerëve me kompani të ndryshme si ato në Austri, Kroaci, Slloveni, Rumani, Hungari dhe në Kosovë, me këtë rast, kësaj kompanie i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 100 mijë euro.

Me këto veprime, Grajqevci dhe Ibishi po akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike” nga neni 339, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë