Mungojnë dy të akuzuar dhe avokatët, dështon seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj zyrtarëve të AKPPM-së

20191106_131428
Author

Raporton: Medina KADRIU

Nëntor 6, 2019

 

Prishtinë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte planifikuar të mbahet seanca në rastin e kthyer për herë të dytë në rigjykim, i cili po zhvillohet ndaj  zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ilir Dushi dhe Bersan Kolgeci, si dhe ndaj biznesmenit Edon Hajrullaga.

Mirëpo, shkak i mos mbajtjes së kësaj seance, ishte mungesa e të akuzuarve Ilir Dushi e Edon Hajrullaga, si dhe avokatëve Skender Musa dhe Muhamet Shala.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka bërë të ditur se të gjithë kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt.

Mirëpo, ai tha se paraditen e së mërkurës, ka pranuar një parashtresë nga mbrojtësi i të akuzuarit Edon Hajrullaga, avokati Skender Musa, i cili ka informuar gjykatën se i mbrojturi i tij gjendet jashtë vendit në udhëtim zyrtar dhe e ka të pamundur të jetë prezent në seancë.

“Ka qenë avokati Muhamet Shala paradite dhe si duket i paska informu , unë kam kërku me qenë prezent këtu që mu koordinu për agjendën”, tha gjykatësi Kalludra, duke iu referuar palëve të tjera që nuk ishin prezent.

Prezent në këtë seance ishte prokurorja Merrushe Llugiqi, i akuzuari Bersan Kolgeci dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Dushi, avokati Nikë Shala.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 4 dhjetor, nga ora 10:00.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 24 janar, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra kishte njoftuar se mbrojtësi i Dushit, avokati Nikë Shala, ia ka dorëzuar gjykatës kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues.

“KTGJ do ta respektojë kërkesën e mbrojtësit për veprimet e mëtutjeshme procedurale, por nuk mund ta anashkalojë faktin se mbrojtësi ka qenë plotësisht i papërgjegjshëm për dorëzimin e kësaj parashtresë në ditën e sotme”, kishte thënë gjykatësi Kalludra.

Ai kishte thënë se do të veprohet sipas dispozitave ligjore dhe se kërkesa për përjashtim do t’i dërgohet kryetares së gjykatës, ndërkaq për “Betimi për Drejtësi” ka bërë të ditur se një kërkesë e tillë është refuzuar nga kryetarja e gjykatës.

Në maj 2018, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast për herë të dytë në rigjykim, me arsyetimin se aktgjykimi i ankimuar ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384, paragrafi 1, nënparagrafi 12, e lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në shkurt 2018, Dushin dhe Kolgecin i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh për secilin.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Edon Hajrullaga ishte shpallur fajtor për veprën penale “prodhim i ndaluar” dhe është dënuar nga shkalla e parë me gjobë në lartësi prej 10.000 euro.

Ndërkaq, në gjykimin e parë, gjykata e shkallës së parë më 13 qershor 2017, Dushin dhe Kolgecin, i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, Haki Ejupin me pesë muaj burg, Edon Hajrullagen me 10.000 euro gjobë.

Mirëpo, aktgjykimin e shkallës së parë e kishte anuluar Gjykata e Apelit, e cila në dhjetor 2017, e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Sipas vlerësimit të Apelit në atë kohë, arsyet e paraqitura në  aktgjykimin e shkallë së parë janë kontradiktore lidhur me faktet vendimtare.

Po ashtu, sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë, ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale andaj gjykata themelore duhet ti evitojë këto shkelje në rigjykim.

Ky gjykim ishte zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e krye shefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Bersan Kolgeci, duke vendosur sipas ankesës së këtij operatori ka lëshuar një rekomandim më 7 gusht 2013, me të cilin ka rekomanduar drejtorin e Administratës që t’i bëjë përgatitjet dhe t’i lëshohen “Prima Pharm-it”, banderolat për barna.

Këtij operatori i janë lëshuar gjithsej 435.124 banderola, për 18 produkte medicinale. Kështu këtij subjekti, i është lejuar që barnat e importuara nga Kina në mars të vitit 2013, t’i plasojë në treg, edhe pse sipas këtij akti akuzues ky rekomandim nuk është dashur që t’i lëshohet.

Arsyeja për mos lëshimin e këtij rekomandimi për “Prima Pharm” ishte mungesa e certifikatës së Praktikës së Mirë të Prodhimit (PMP). /BetimipërDrejtësi