Mungojnë dy nga tre të akuzuarit, dështon fillimi i gjykimit për vjedhje të rëndë dhe përdorim të armës

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Korrik 12, 2019

Vushtrri – Në mungesë të dy të akuzuarve Endrit Hajdari dhe Shpejtim Rullani, ka dështuar gjykimi për vjedhje të rëndë, të premten, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri.

I akuzuari Hajdari, përveç veprës penale “vjedhje e rëndë”, akuzohet edhe për veprën penale “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjykatësi i rastit, Agron Maxhuni, ka njoftuar palët se pas një komunikimi përmes telefonit prindi i të pandehurit Hajdari ka njoftuar gjykatën se ai gjendet në burg.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Rullani, avokati Mahmut Halimi, ka njoftuar se i mbrojturi i tij gjendet në arrest shtëpiak dhe për këtë shkak nuk ka mundur të vijë në seancë, pa shoqërimin e policisë.

Në këtë rast, i akuzuar për vjedhje të rëndë është edhe Behar Zeneli, cili në seancën e së premtes ka prezantuar në gjykatë.

Por, pasi që kanë munduar dy të akuzuarit Hajdari dhe Rullani, kjo seanca e shqyrtimit fillestar  është shtyrë më 23 korrik 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 1 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Endrit Hajdari, Shpejtim Rullani dhe Behar Zenelit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Hajdari, Rullani dhe Zeneli, më 20 prill 2019, kishin thyer lokalin “Hasani”, në Vushtrri, ashtu që pas marrëveshjes ishin maskuar dhe me pllaka betoni kishin thyer xhamin e lokalit dhe kishin marrë 50 paketa të cigareve, me ç` rast gjatë ikjes, ishin vërejtur nga punëtorët e sigurimit, të cilët kishin njoftuar policinë.

Me këtë, tre pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 315 par 1 pika 1.1 lidhur me nenin31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Endrit Hajdari, derisa kishte qenë duke ikur nga vendi i ngjarjes ishte fshehur në një podrum të ndërtesës, me ç` rast kur policia dhe punëtorët e sigurimit, kishin tentuar ta arrestojnë, i pandehuri kishte shtënë me armë të llojit dhe numrit serik të panjohur.

Me këtë, Hajdari akuzohet për veprën tjetër penale “përdorimi i armës apo mjetit të parrezikshëm”, nga neni 367 par 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi