Mungojnë dy nga pesë të akuzuarit, shtyhet gjykimi për uzurpim të pronës

Raporton: Samire BINAJ

Prizren- Për shkak të mungesës së dy të akuzuarve K.G dhe P.G, ka dështuar seanca e së hënës në rastin ku të njëjtit bashkë me M.G, R.G, dhe N.G, po akuzohen se janë duke shfrytëzuar tokën në mënyrë të paligjshme.

Lidhur me mungesën e dy të akuzuarve, gjykatësi Gani Kastrati tha se gjykata ka prova se të njëjtit janë ftuar me kohë dhe në mënyrë të rregullt, por mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari R.G, tha se të akuzuarit i ka vëllezër dhe se K.G gjendet jashtë shtetit, kurse P.G, nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Në këto rrethana, kjo seancë është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren më 9 dhjetor 2021, M.G, R.G, N.G, K.G dhe P.G po akuzohen se në bashkëkryerje nga data e pavërtetuar deri më 11 qershor 2021, në fshatin Landovicë, në mënyrë të kundërligjshme, pa pëlqimin e pronarit legjitim uzurpojnë pronën e paluajtshme të të dëmtuarit I.K.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur e punojnë këtë tokë duke e lëvruar dhe duke mbjellë kultura të ndryshme bujqësore, e cila tokë është e evidentuar në emër të dëmtuarit K., si në certifikatë të Zyrës Kadastrale Komunale në Prizren, lëshuar më 2 shtator 2021.

Për këtë, ata akuzohen për veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme në vazhdimësi” nga neni 320, paragraf 1 dhe neni 77 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë