Mungojnë dy nga katër të akuzuarit, shtyhet gjykimi për tentim vjedhjen grabitqare në një market në Kijevë të Malishevës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Të premten, për shkak të mungesës së të akuzuarve Mentor Jashari dhe Fatmir Gashi, ka dështuar të fillojë gjykimi në rastin ku ata bashkë edhe me të akuzuarit Muhamet Kiqmari dhe Ragip Hasani, të cilët ishin prezent në seancë, po akuzohen për  tentim vjedhje grabitqare në një market të Kijevës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, tha se dy të akuzuarit e lartcekur kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë, por që mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Për të akuzuarin Fatmir Gashi, mbrojtësi i tij, avokati Avdi Rizvanolli, tha se është njoftuar nga familjarët e të akuzuarit se gjatë punës i njëjti ka rënë nga skelet dhe tani është i shtrirë në QKUK.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë për 12 korrik të këtij viti.

Gjykatësi Zika tha se, ndaj të akuzuarit Jashari do të lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë, ndërsa për të akuzuarin Gashi kërkojë që t’i sillet dokumentacioni mjekësore, përndryshe edhe ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me forcë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 28 prill 2016, rreth orës 3:40, në fshatin Kijevë të Malishevës në marketin “Gashi”, të akuzuarit Muhamet Kiqmari, Ragip Hasani, Mentor Jashari dhe Fatmir Gashi kanë tentuar të kryejnë vjedhje, duke përdorur forcën me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim të kundërligjshme të dobisë pasurore.

Siç thuhet në aktakuzë, ata këtë e kanë bërë në atë mënyrë që i akuzuari Mentor ka bërë roje dhe ka pritur në automjetin e tij “Bora”, ndërsa të akuzuarit Muhamet dhe Fatmir me kaçavida kanë hapur derën e marketit , kanë hyrë brenda së bashku me të akuzuarin Ragip, i cili ka pasur një revole me gaz.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Ramiz Gashi ka dëgjuar alarmin e sigurimit që është aktivizuar e po ashtu ka dëgjuar qentë duke lehur dhe kishte marrë pistoletën e markës “ Pietro Bereta”, për të cilën kishte leje për mbajtje të armës, ka zbritur tek marketi dhe i ka zënë në befasi  të tre të akuzuarit që ishin në market, në atë moment i akuzuarit Ragip ka gjuajtur me armë dhe pastaj i dëmtuari Ramiz pasi që i ka zënë në befasi në aktin e kryerjes së vjedhjes ka gjuajtur 7 herë dhe ka plagosur të akuzuarin Muhamet në krahun e djathtë.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vjedhje grabitqare në tentativë”, nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me nenet 28 dhe 31 të Kodit Penal, vepër kjo e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet.

I akuzuari Ragip Hasani po ngarkohet edhe për veprën penale të armëmbajtje pa leje, përkatësisht për armën e cekur më lartë./BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë