Mungojnë dëshmitarët, shtyhet seanca për korrupsion ndaj zyrtarëve të pyjeve në Suharekë

Raporton: Adem KRASNIQI

Prizren – Seanca e paraparë të mbahet në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj Sedat Jemini, Hamza Kolgeci, Hasan Buzhala, Agim Gashi, Bashkim Gashi dhe Agim Shala, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u shty sepse nga gjithsej shtatë dëshmitar të ftuar, vetëm dy prej tyre ishin prezent në gjykatore.

Trupi gjykues me kryetar Xheladin Osmani, në konsultim me prokurorin e rastit Genc Nixha, i cili e zëvendësonte prokuroren e rastit Ervehe Gashin, mori vendim që në mungesë të kushteve për vazhdim të seancës, e njëjta të ndërpritej.

Seanca e radhës u caktua më 13 tetor 2016, në ora 09:30, dhe për dëshmitarët të cilët nuk prezantojnë në seancë, gjyqtari Osmani tha se do të sillen me dhunë.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga prokurorja Ervehe Gashi, e cila akuzon Sedat Jeminin, Hamza Kolgecin, Hasan Buzhalën, Agim Gashin, Bashkim Gashin dhe Agim Shalën, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që të njëjtit në cilësinë e personave përgjegjës të njësisë komunale për pylltari në Suharekë, i kanë mundësuar Xhemail Destanit dhe Riza Hajdarit t’i largojnë traktorët nga vendi i ngjarjes, të cilët ishin të ngarkuar me dru të prerë në mënyrë ilegale në bjeshkët e fshatit Delloc. Në këtë mënyrë sipas aktakuzës të pandehurit kanë mundësuar përfitimin e dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë