Mungojnë dëshmitarët, shtyhet gjykimi për korrupsion

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Gjykimi ndaj përmbaruesit privat, Mehdi Reshani, është shtyrë pasi që në seancën e paraparë të mbahej të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren kanë munguar dëshmitarët.

Dëshmitari Sami Ademi, ka njoftuar gjykatën se për arsye shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë.

Ndërsa për dëshmitarin tjetër Xhanfranko Fantineli, është konstatuar se nuk ka prova se është thirrur me rregull.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka konstatuar se nuk ka kushte për të mbajtur shqyrtimin, andaj të njëjtin  e ka shtyrë për 14 nëntor 2016, në ora 10:00. Poashtu ka obliguar avokatin mbrojtës, Bashkim Nevzati, që dëshmitarin Xhanfranko Fantineli, ta njoftojë për seancën e radhës, pasi që është i propozuar nga ai.

Në këtë seancë ka munguar edhe prokurorja Ervehe Gashi, e cila pasi që ishte njoftuar se nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, ka shkuar në një gjykim tjetër.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon Reshanin se ka ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër e njëkohësisht duke i shkaktuar dëm personave tjerë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari, përkundër faktit se e kishte përmbaruar lëndën përmbarimore të kreditorit “Gruppo Vinicolo Fantineli”  ndaj debitorit “QMI”, të dy palët si aksionarë në “Agrokosova Holding”. Ai ka marrë sërish veprime ekzekutive pa e njoftuar debitorin “QMI”, duke nxjerrë nga objekti i “Agrokosova Holding” të gjithë stafin e të dëmtuarit “QMI”.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë