Mungojnë avokatët, dështojnë shtatë seanca në Gjykatën e Kamenicës

49900404_371589053387923_4040678637639303168_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Janar 10, 2019

Kamenicë – Si pasojë e mungesës së avokatëve, të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, kanë dështuar të mbahen shtatë seanca gjyqësore.

Shkak i dështimit të këtyre seancave gjyqësore, ishte mungesa e avokatëve përfaqësues, të cilët tashmë janë në bojkot, veprim ky i cili ka filluar pas vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), si kundërpërgjigje ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes së avokatëve në objektet e gjykatave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Numrin e këtyre seancave që ishin të parapara të mbaheshin këtë të enjte, e që dështuan, për “Betimi për Drejtësi” e kanë konfirmuar gjykatësit Sadri Krasniqi, Valbonë Dërvodeli, Besnik Pireva dhe Blerim Beshtica.

Gjykatësi Sadri Krasniqi, për “Betimi për Drejtësi” tha se të enjten, kishte të paraparë një seancë në çështje penale, në lidhje me një rast të lëndimit të lehtë trupor, por që avokatët e autorizuar duke respektuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës, nuk kishin marr pjesë në seancë.

Gjykatësja tjetër, Valbonë Dërvodeli, ka konfirmuar se një seancë në çështje penale i ka dështuar, që kishte të bënte me veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, për arsye të njëjtë.

Ndërkaq, pesë seanca tjera në divizionin civil kanë dështuar për shkak të mungesës së avokatëve dhe këtë e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” gjykatësit e çështjeve civile, Besnik Pireva dhe Blerim Beshtica.

Ndryshe, ky dështim i madh i seancave gjyqësore ka ardhur si pasojë e vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku thuhet se do të bojkotohen të gjitha seancat gjyqësore, nëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), nuk tërheq rekomandimin në lidhje me kufizimin e avokatëve në qasjen e tyre nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi