Mungojnë avokatët, dështojnë dhjetë seanca në Gjykatën Themelore në Gjilan

Gjykata Themelore ne Gjilan
Author

Raporton: Lirie ALIU

Janar 10, 2019

Gjilan – Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të enjten, kanë dështuar dhjetë seanca gjyqësore, për shkak të bojkotimit të përgjithshëm të punës së avokatëve mbrojtës, të cilët e kanë përkrahur vendimin e këshillit drejtues të OAK-së, për të mos prezantuar nëpër seanca gjyqësore.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zyrtari për informim i kësaj gjykate, Sabit Shkodra.

Ai ka thënë se ndër 10 seancat e dështuara, janë shtyrë tre seanca në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal dhe shtatë seanca në Divizionin Civil.

Shkak për bojkotimin e mbajtjes së seancave gjyqësore, ishte shprehja e pakënaqësisë ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Si shkas i rekomandimit të tillë, institucioni i Odës së Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të ketë bojkotim të përgjithshëm të avokatëve nëpër institucione të drejtësisë, përfshirë gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

Ndryshe, OAK-u ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e KGJK-së, bojkoti i tyre do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.