Mungojnë 7 nga 17 të akuzuarit se lënduan zyrtarët policorë në protestën e 2015-ës, shtyhet seanca 

Raporton Blerta BARKU

Prishtinë – Të akuzuarit Avni Shabani, Avni Avdyli, Premton Ibërdemaj munguan pa arsye, kurse për të akuzuarit Labinot Qelaj, Eglantin Demi dhe Besim Mula, gjykata s’kishte prova që janë ftuar me rregull, ndërsa për Besmir Peci, mungoi për shkaqe shëndetësore. Andaj, kjo bëri që të dështojë seanca fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata ngarkohen se në janar të vitit 2015, secili me veprimet e tij të dhunshme dhe me ndihmën e pjesëmarrësve në veprimet e huliganëve kanë hedhur gjësendet në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe si pasojë e hedhjeve me gurë dhe mjete të tjera si shufra druri, lëndime trupore kanë pësuar të dëmtuarve katër policë.

Në këtë seancë, prezent ishin prokurorja Ferdane Sylejmani dhe  të akuzuarit  Fidan Fazliu, Gentrit Hajdari, Abnor Veliqi, Korab Rudari, Korab Loti, Besnik Peci, Naman Ahmeti, Esat Pasha dhe Rexhep Isufi dhe Liman Alshiqi.

Gjyqtarja  Vlora Pacolli-Rexhepi ka thënë se të akuzuarit Shabani, Abdyli dhe Ibërdemaj janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Kurse, për të akuzuarit Qelaj, Demi dhe Mula, gjykata nuk ka pranuar fletëdërgesat për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, për të cilët është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Po ashtu në këtë seancë ka munguar edhe i akuzuari Besmir Peci, për të cilin i akuzuari Besnik Peci, vëllai i tij, deklaroi se i njëjti nuk ka mundur të paraqitet për shkaqe shëndetësore.

Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë më 9 dhjetor 2021.

Ndryshe, gjyqtarja Pacolli-Rexhepi deklaroi se kjo lëndë ka qenë duke u shqyrtuar nga gjyqtarë të tjerë paraprak, në shkresat e lëndës e posedon vetëm aktakuzën, nuk ka ndonjë provë materiale.

E njëjta ka kërkuar nga prokuroria që në kohë të shkurtër t’ia dorëzoj këto si dhe arsyetim pse një që e tillë nuk është bërë deri më tani.

“Është detyrim i ligjor i prokurorisë, që qysh në ngritjen e aktakuzës të dërzohet aktakuza e mbështetur në prova materiale”, deklaroi gjyqtarja Pacolli-Rexhepi.

Lidhur me këtë prokuroria ka thënë se tani e ka pranuar këtë lëndë dhe nuk ka njohuri pse nuk janë dorëzuar shkresat e lëndës.

Tutje, në  këtë seancë i akuzuari Ahmeti ka deklaruar se sipas tij, ish-kryeministri Isa Mustafa është huligan pasi që  kryeministri do duhej duhet ta shkarkonte Jabllanoviqin.

“Na kemi qenë protestë kundër Jabllanoviqit edhe apet saktë me lind nevoja kshtu me fye kur shahët, ai huliganë është vet, ai që nuk e ka përjashtuar, në atë kohë që ka qenë ish-kryeministri Isa Mustafa, Jabllanoviq”, ai ka deklaruar.

Lidhur më këtë, gjyqtarja Pacolli-Rexhepi ka thënë që meqë nuk janë plotësuar kushtet për hapjen e kësaj seance, të njëjtin nuk mund ta dëgjoj.

Gjykata të akuzuarve ia ka dorëzuar nga një kopje të akuzuarve dhe i njoftoi se mund të bëjnë kërkesë tek prokuroria për t’i kërkuar shkresat e lëndës, si  dhe i njoftoi për të drejtat e tyre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 16 janar 2017, Labinot Qelaj, Fidan Fazliu, Gentrit Hajdari, Abnor Veliqi, Korab Rudari, Avni Shabani, Eglantin Demi, Avni Avdyli, Besmir Peci, Korab Loti, Besnik Peci, Besim Mula, Naman Ahmeti, Esat Pasha, Rexhep Isufi, Liman Alshiqi  dhe Premton Ibërdemaj, akuzohen se më 24 janar 2015, secili me veprimet e tij të dhunshme dhe me ndihmën e pjesëmarrësve në veprimet e huliganëve kanë hedhur gjësendet në drejtim të objektit të Qeveris së Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin hedhur gurë, sende këto të përshtatshme për të shkaktuar dëme ashtu që kanë  thyer xhamat nga të gjitha pjesët e objektit, dy kioska në mes të objektit të Qeverisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, një xham në Objektin e Ambasadës së Malit të Zi, lokalin e restorantin “Center”, xhamat e lokalit, karriget dhe tavolinat pronë e të dëmtuarit Isak Jerliu, si dhe lokalin e quajtur “Brilant”, me pronarë Shani Makolli ku dhe lëndime ka pësuar kamerieri Remzi Shala, kanë dëmtuar tavolinat duke iu shkaktuar dëm të konsiderueshëm material, po ashtu njëherë është dëmtuar edhe automjeti “Nissan Torrano”, pronë ATK-së.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e goditjeve me gurë dhe mjete të tjera të përshtatshme si shufra druri të cilat i kanë përdorur dhe hedhur ne drejtim të policisë, lëndime trupore kanë pësuar të dëmtuarit, policët, Ramadan Rrustaj, Kadri Grajqevci, Bekim Zogjani dhe Afrim Rrustemi.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç veç kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.4, lidhur me par. 1,  të Kodit Penal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë