Mungojë tre dëshmitarë, dështon gjykimi ndaj të akuzuarve se pas mosmarrëveshjes rrahën të dëmtuarit

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë- Për shkak se dëshmitari Arben Zejnunllahu gjendej në Gjermani, për dëshmitarin Agron Berisha gjykata s’kishte prova se është ftuar me rregull dhe dëshmitarja tjetër, Alie Ibrahimi u ftua me rregull, por nuk e arsyetoi mungesën, dështoi shqyrtimi gjyqësorë ndaj Pajtim dhe Bajram Selmanit.

Në këtë rast, Pajtim Selmani dhe Bajram Selmani po akuzohen që të dy në bashkëkryerje kanë rrahur një person, duke i shkaktuar lëndime trupore. Ndërsa, Pajtim Selmani po akuzohet edhe për veprat penale “Përdorim i armës ose mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent  në seancën e së premtes ishin i dëmtuari-dëshmitari Hamdi Zejnullahu, prokurori Naim Beka, dy të akuzuarit Pajtim Selmani dhe Bajram Selmani, si dhe dëshmitari Musa Fejza.

Lidhur me të dëmtuarin-dëshmitarin Zejnullahu, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Hajraj, bëri të ditur se për këtë shqyrtim gjyqësor e kanë sjellë Policia e Kosovës, stacioni policor në Vushtrri, në bazë të urdhëresës të cilën e ka lëshuar gjykata më 23 shtator 2021.

Prezent në seancën e së premtes, ishte edhe Prokuroi i shtetit Naim Beka, dy të akuzuarit Pajtim Selmani dhe Bajram Selmani dhe dëshmitari Musa Fejza

Ndërsa, lidhur me mungesën e të dëmtuarit-dëshmitarit, Arben Zejnullahu, tha se në zarfin e mbyllur të kthyer në gjykatë është konstatuar se i njëjti gjendet në Gjermani, gjykata ka kërkuar nga stacioni Policor në Vushtrri përmes parashtesës së datës 11 tetor 2021 që të sigurojë adresën e vendbanimit për të dëmtuarin Zejnullahu, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar ndonjë konfirmim zyrtar nga ana e policisë.

Për mungesën e dëshmitarit Agron Berisha gjykata nuk kishte prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa Alie Ibrahimi, sipas shkresave të lëndës del se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt për shqyrtimin e sotëm gjyqësor, por nuk e ka arsyetuar mungesën e saj.

Në këto rrethana, trupi gjykues konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance dhe e njëjta është shtyrë për 8 dhjetor 2021.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Pajtim Selmani dhe Bajram Selmani më datë 28 korrik 2017, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, në fshatin Shupkovc në oborrin e kafitenesë “Te Bali”, komuna Mitrovicë, pas një mosmarrëveshje me tani të dëmtuarit Hamdi Zejnullahu dhe Arben Zejnullahu iu shkaktuan lëndim të lehtë trupor.

Tutje thuhet se të njëjtit ishin të shoqëruar nga një person tjetër dhe pasi kanë pirë disa pije alkoolike në lokalin e lartcekur, kur kanë dalë jashtë atyre iu është bashkangjitur edhe një valltare (këngëtare), e cila punonte në këtë lokal, e më pastaj dy të pandehurit, vëllezërit Pajtim dhe Bajram Selmani kanë dalë në parking, i janë afruar veturës së të dëmtuarve dhe kanë filluar t’i godasin duke iu shkaktuar dëme të lehta trupore.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, par. 2 lidhur me 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim deri në tri vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Pajtim Selmani më 28 korrik 2017,  në kohë dhe vend të njëjtë, ka përdorur armën me qëllim të frikësimit, në mënyrë që i pandehuri pas një mosmarrëveshje që kishte me të dëmtuarit Hamdi Zejnullahu dhe Arben Zejnullahu, kanë dalë jashtë lokalit të lartcekur, në parking meqë rast i pandehuri e ka nxjerrë një armë automatike të tipit A-47, të cilën e kishte në lokal dhe me qëllim të frikësimit të tani të dëmtuarve ka shtënë disa herë në ajër.

Me këtë ka kryer veprën penale “ Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par 2 e lidhur me 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Pajtim Selmani po akuzohet se nga koha e panjohur e deri më 28 korrik 2017, në fshatin Shupkovc, në kafenenë “Te Bali”, komuna e Mitrovicës, mban në pronësi, kontroll ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm në lidhje me armët.

Në aktakuzë thuhet në datën e lartshënuar, pasi që policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur rrahja, i pandehuri Pajtim Selmani ka larguar duke e fshehur armën automatike kalibrit 7.62 X39 mm me nr. Serik C86239, një karikatorë dhe dy fishekë të kalibrit 7.62 X39 mm. rreth dy-tri kilometra larg vendit të ngjarjes në fshati Frashër dhe të cilën armë e kanë konfiskuar policia e Kosovës.

Me këtë ka kryer veprën penale “Mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374, par,1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë