Mungesa e tre të akuzuarve shtyn gjykimin për vrasje në tentativë, kontrabandim me mallra dhe falsifikim të dokumentit zyrtar

salla
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shtator 11, 2019

Prishtinë – Mungesa e tre prej katër të akuzuarve ka bërë që të mërkurën të dështojë gjykimi për vrasje në tentativë, kontrabandim me mallra e falsifikim të dokumentit zyrtar.

Në seancë mori pjesë vetëm i akuzuari Gëzim Zekaj, ndërsa munguan të akuzuarit Burim Shabani, Muharrem Haliti dhe Besim Zeqiri.

Në këtë proces gjyqësor, Burim Shabani, akuzohet për “vrasje në tentativë”, pasi dyshohet se ai ishte duke kontrabanduar mallra dhe pasi ishte në ndjekje nga policia, kishte lënë kamionin e tij në lëvizje, i cili kishte shkuar në drejtim të policëve Rrahim Zabërgja dhe Shkodran Beqiri, me ç’rast këta të fundit pësojnë lëndime trupore.

Ndërsa, përpos vrasjes në tentativë, Shabani akuzohet edhe për veprën penale “kontrabandim me mallra”, e në kryerjen e kësaj vepre pretendohet se e kanë ndihmuar edhe dy të akuzuarit tjerë Besim Zeqiri dhe Gëzim Zekaj.

Për falsifikim të dokumenteve zyrtare, janë duke u ngarkuar Muharrem Haliti dhe Besim Zeqiri, pasi sipas prokurorisë, ata kishin ndryshuar tabelat e regjistrimit të kamionit të Besim Zeqirit.

Në sallën e gjykimit, prezent ishte vetëm prokurori Armend Hamiti dhe i akuzuari Gëzim Zekaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Mexhid Syla, ndërsa mungua të akuzuarit Burim Shabani, Besim Zeqiri dhe Muharrem Haliti.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica deklaroi se përderisa Shabani, e ka pranuar ftesën, ai mungesën nuk e ka arsyetuar, ndërsa gjykata është njoftuar se i akuzuari Zeqiri është shpërngulur nga vendbanimi paraprak, e Halitit nuk i ka shkuar fare ftesa.

Krasniqi-Jashanica, ka vendosur që në seancën e radhës, e cila u caktua më 2 tetor 2019, në ora 13:15, tre të akuzuarit që munguan në seancën e së mërkurës të ftohen përmes policisë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 gusht 2018, Burim Shabani akuzohet se më 19 maj 2016, rreth orës 02:41, në fshatin Brezhnicë të Obiliqit, ishte duke kontrabanduar mallra dhe nuk ishte ndalur në një pikë kontrolli të policisë, ndërsa pasi e sheh se nuk mund t’i shmanget policisë, duke tentuar t’i privojë nga jeta policët Rrahim Zabërgja dhe Shkodran Beqiri, ka zbritur nga kamioni i tij “Volvo Scania” dhe kamioni ka lëvizur prapa, duke goditur veturën e policëve, e duke i shkaktuar atyre edhe lëndime trupore.

Prokuroria pretendon se kamionin me të cilin kishte kontrabanduar 20.000 litra naftë, Shabani i ishte vënë në dispozicion nga i akuzuar tjetër Besim Zeqiri, i cili ishte në përcjellje me veturën e tij “Golf 5” dhe nga i akuzuar Gëzim Zekaj, me veturën e tij “Audi A4”, që siç thuhet në aktakuzë, për t’i krijuar kushte Shabanit që mall i kontrabanduar të shkojë në destinacion.

Në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, pretendohet se Muharrem Haliti dhe Besim Zeqiri, kanë falsifikuar dokumentin zyrtar, pasi Zeqiri ia kishte hequr tabelat e regjistrimit kamionit të tij “Volvo Scania”, i cili nuk ishte i regjistruar dhe atij ia kishte vendosur tabelat tjera, të siguruara nga i akuzuar Muharrem Haliti. /BetimipërDrejtësi