Mungesa e tre avokatëve shtynë gjykimin ndaj gjykatësit Sali Berisha

Pallati 2
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Korrik 16, 2020

Prishtinë – Në mungesë të avokatëve mbrojtës të të akuzuarit për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje, gjykatësit Sali Berisha, ka dështuar të mbahet seanca fillestare e paraparë të mbahej të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në fillim të kësaj seance, i akuzuari Berisha ka thënë se për shkaqe shëndetësore dhe shkaqe të tjera objektive, mbrojtësit e tij, avokatët Besnik Berisha, Veton Berisha dhe Gëzim Kollqaku, nuk kanë mundur të prezantojnë.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit, Arben Hoti mori vendim me të cilin e ka shtyrë seancën në afat të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, nga kjo seancë është përjashtuar media dhe publiku, si preventivë ndaj përhapjes së virusit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2000 euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptoj dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishek, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë. /BetimipërDrejtësi