Mungesa e të dëmtuarit shtyn gjykimin ndaj të akuzuarit për uzurpim prone

43522900_536111763469213_1512315374274609152_n
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Tetor 11, 2018

Ferizaj – Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të akuzuarit për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Ismet Maksutaj.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance, e cila ishte në shqyrtim kryesor, ka qenë mungesa e të dëmtuarit Vllado Jevtiq, për të cilin gjykata kishte dërguar ftesë zyrtare, por ishte kthyer për arsye se i dëmtuari ishte shpërngulur nga adresa e mëhershme.

Me ndihmën e të akuzuarit është siguruar numri i të dëmtuarit dhe është kontaktuar nga gjykata, me ç’rast Jevtiq ka treguar se vendndodhja e tij aktuale është në Krushevc të Serbisë.

Gjyqtari i çështjes, Adem Shabani, ka thënë se meqenëse i dëmtuari mungon nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, derisa të caktohet një datë se kur mund të vijë i dëmtuari për të dhënë dëshminë e tij.

Me këtë gjykatësi Shabani e ka shtyrë seancën për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Ismet Maksutaj akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, pretendohet se nga muaji shtator të vitit 2016, i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të dëmtuarit Vllado (Zhivko) Jevtiq, dhe vazhdon të mbajë të uzurpuar pronën me sipërfaqe prej 4.257m2 në fshatin Talinoc i Muhaxherëve, të Komunës së Ferizajt.