Mungesa e të dëmtuarës dhe dëshmitarëve shtynë gjykimin ndaj të akuzuarit për vrasjen e vëllait

28.07.
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Korrik 28, 2020

Prizren – Të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet gjykimi kundër të akuzuarit për vrasje të rëndë, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Bajram Gegaj.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarës Naile Ramshaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani konstatoi se përveç palës së dëmtuar, mungojnë edhe dëshmitarët Kujtim Gegaj, Herolind Gegaj, Albina Demiraj dhe Sebehate Gegaj.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Gegaj, avokati Tomë Gashi deklaroi se i është drejtuar prokurorisë me kërkesën për fillimin e negocimit për pranimin e fajësisë.

“Unë si mbrojtës e kam edhe deklaratën e të akuzuarit Bajram Gegaj i cili vet e ka nënshkruar dhe i njëjti pranon që prokurorisë t’i paraqitet kërkesa për negocimin e pranimit të fajësisë”, tha Gashi.

Lidhur me këtë propozim, prokurori Mehdi Sefa tha se në parim nuk mund të deklarohet në seancën e së martës.

Ai theksoi se pranimi i fajësisë është i parashikuar me dispozitat e KPP-së, kështu që i duhet kohë të konsultohet edhe me eprorin e tij.

Në këto rrethana, gjykatësi Artan Sejrani konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, të cilën e shtyu për 5 tetor 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar me 11 qershor 2020, Bajram Gegaj akuzohet se më 17 mars 2019, në fshatin Studenqan të Komunës së Suharekës, pas një mosmarrëveshje paraprake rreth çështjeve pronësore, me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes, vëllain e tij Ismet Gegaj.

Në aktin akuzues thuhet se këtë e bën në atë mënyrë që, hyn në dyert e oborrit të shtëpisë së Kujtim Gegajt me pistoletë-revole të tipit HS-9, e kalibrit 9×9 mm, dhe me të shtënë një herë në drejtim të Ismet Gegajt, i cili kishte shkuar mysafir, ku ky i fundit pas të shtënës, i plagosur, shkon brenda në shtëpi, ku i akuzuari e ka ndjekur atë, e ku e dëmtuara Naile Gegaj pas dëgjimit të zhurmës e hap derën e shtëpisë dhe e ka parë Bajram Gegajn, i cili kishte shtënë edhe në drejtim të saj, të cilën e plagos në anën e djathtë të abdomenit.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Bajram Gegaj ka vazhduar ndjekjen duke hyrë në dhomën ku ishte fshehur Ismeti dhe në të shtënë katër (4) herë në pjesë të ndryshme të trupit, e që si pasojë e shkakton vdekjen e të ndjerit.

Me këto veprime, Bajram Gegaj akuzohet se në kohë dhe vend të njëjtë, ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, veprën penale të vrasjes në tentativë dhe atë të armëmbajtjes pa leje. /BetimipërDrejtësi