Mungesa e të akuzuarve shtynë gjykimin për uzurpim prone në Gjakovë

136652579_789627428290238_5325361260040980959_n (5)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Janar 13, 2021

Gjakovë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka dështuar të vazhdojë gjykimi në rastin ku Samendin dhe Xhevat Bytyçi po akuzohen për uzurpim prone.

Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarve të lartcekur si dhe të dëmtuarit Pashk Pervorfi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja, Ilirjana Hoti deklaroi se i akuzuari Xhevat Bytyçi dhe i dëmtuari Pervorfi ka qenë i njoftuar për këtë seancë, mirëpo mungesën e tyre nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa për të akuzuarin Samendin Bytyçi tha se i njëjti e ka njoftuar gjykatën se ka për të udhëtuar jashtë shtetit për nevoja shëndetësore të gruas së tij, për çka edhe i ka bashkëngjitur parashtresës raportet mjekësore.

Në këto rrethana, meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, e njëjta është shtyrë, derisa ajo e radhës është caktuar që të mbahet më 11 shkurt.

Ndryshe, në seancë ishte prezent prokurori Anton Hasanaj si dhe mbrojtësi i të akuzuari Samendin Bytyçi, avokati Agim Muhaxhiri, si dhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit, avokati Prek Kola.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 21 korrik 2017, Xhevat dhe Samendin Bytyçi po akuzohen se nga viti 1999, në Gjakovë pa ndërprerë e në vazhdimësi në mënyrë të kundërligjshme, e pa ndonjë bazë juridike uzurpojnë pronën në sipërfaqe prej 38.60 m2, zona kadastrale Gjakovë-qytet, pronë e të dëmtuarit Ljubisha Nikoliq, e cila pronë në shërbimin kadastral është bartur me kontratë të legalizuar në Gjykatë, në emër të të dëmtuarit Pashk Pervorfi.

Për këtë, po akuzohen sipas aktakuzës së kanë kryer veprën penale “ uzurpim i paligjshëm i pronës” në bashkëkryerje e në vazhdimësi nga neni 332 parag.1 lidhur me nenin31 dhe 81 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi