Mungesa e të akuzuarit shtyn për kohë të pacaktuar gjykimin për vjedhje pylli

Ferizaj
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Nëntor 13, 2019

 

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore Ferizaj, ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin ku Hazir Ahmeti, po akuzohet për veprën penale “vjedhja e pyllit”.

Shkak i dështimit të seancës fillestare, e paraparë për të mërkurën, ka qenë mungesa e të akuzuarit Ahmeti.

Gjyqtari i çështjes, Imri Sejda, lidhur me këtë ka deklaruar se gjykata ftesën e ka dërguar në mënyrë të rregullt, mirëpo nga fletëkthesa thuhet se i akuzuari nuk jeton në atë adresë.

Andaj, i njëjti tha se gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikimin e adresës të të akuzuarit Ahemti.

Në këto rrethana, gjykatësi Sjeda ka thënë se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar derisa të bëhet verifikimi i adresës së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, e ngritur më 16 gusht 2019, e ngarkon të akuzuarin Hazir Ahmeti, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet, se më 31 korrik 2019, rreth orës 16:50, në Ferizaj, në vendin e quajtur “Ngastra 37-Jezercë”, rajoni ekonomiko pyjor Neredime- Jezercë, i pandehuri me qëllim të vjedhjes me sharrë motorike ka prerë dy copë dru të llojit “Ahu”, me vëllim të përgjithshëm prej 3.18 metra kub.

Sipas aktakuzës, me këtë Drejtorisë për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural në Ferizaj i është shkaktuar dëm material në vlerë prej 437.76 euro. /BetimipërDrejtësi