Mungesa e të akuzuarit shtyn për kohë të pacaktuar gjykimin për narkotikë

Ferizaj
Author

Raporton: Arbenita IMERI

Gusht 8, 2019

Ferizaj – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, Fatlum Limani.

Shkak i dështimit të seancës së paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka qenë mungesa e të akuzuarit Limani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes, Ilir Bytyqi, tha se i akuzuari e kishte pranuar ftesën, mirëpo prindi i të akuzuarit kishte njoftuar gjykatën se ai është i sëmurë dhe nuk mund të merrte pjesë në këtë seancë.

Andaj, në këto rrethana, gjykatësi Bytyqi, ka marr aktvendim me të cilin e ka shtyrë shqyrtimin fillestar për kohë të pacaktuar.

Ndryshe, e pranishëm në sallë ishte prokurorja Sebahate Sinani.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të ngritur më 18 qershor 2018, Fatlum Limani akuzohet se më 5 shkurt 2018, afër stacionit të trenit në Ferizaj, ishte ndaluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik dhe njësiti patrullues.

Sipas aktakuzës, gjatë kontrollit tek i pandehuri në dorën e tij të majtë i është gjetur një sasi me substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë 1.98 gram, të cilën e kishte poseduar pa autorizim ku dhe e njëjta i konfiskohet përkohësisht nga policia. /Betimipërdrejtësi