Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për vjedhje të shërbimeve komunale

Viti
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Tetor 9, 2019

Viti – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Emin Misini.

Gjykatësi Nexhat Aliu, deklaroi se i akuzuari Misini, nuk prezanton në seancë edhe pse është ftuar në mënyrë të rregullt dhe kjo sipas tij, vërtetohet nga fletëkthesa e cila gjendet në shkresat e lëndës.

Me vendim të gjykatësit Aliu, seanca e radhës është caktuar për 31 tetor 2019, në ora 10:40 dhe i akuzuari do të ftohet me detyrim përmes stacionit policor në Viti.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 7 shkurt 2018, Emin Misini, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2017, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Sadovin e Jerlive të Vitisë, në shtëpinë e tij, në mënyrë të vazhdueshme dhe të paautorizuar ka përfituar nga shërbimi komunal-rrjeti i shpërndarjes së rrymës së KEDS-it, në atë mënyrë që pas shkyçjes është lidhur direkt në rrjet jashtë njehsorit elektrik, ka shpenzuar energjinë elektrike pa u regjistruar ajo askund si shpenzim.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS- Distrikti në Gjilan i ka shkatuar dëmin në vlerë prej 88.48 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale ”, nga neni 320, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi