Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për vjedhje të shërbimeve komunale

Foto 09.09.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Shtator 9, 2019

Malishevë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Esat Paçarizi.

Gjykatësi Njazi Morina, deklaroi se i akuzuari Paçarizi përmes një parashtrese të datës 5 shtator 2019, ka kërkuar nga gjykata që kjo seancë të shtyhet me arsyetimin se ai gjendet në pushim veror.

Me vendim të gjykatësit Morina, seanca e radhës është caktuar për 21 tetor 2019, në ora 9:30.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 17 prill 2019, i akuzuari Paçarizi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 21 maj 2015, Esat Paçarizi, akuzohet se nga data e pavërtetuar e deri më 26 shtator 2014, në shtëpinë pronë e Brahim Paçarizit, në fshatin Dragobil, Komuna e Malishevës, të cilën e shfrytëzon i akuzuari, në kundërshtim me Ligjin për Energji Elektrike, është furnizuar me energji elektrike, duke hequr bllombat distributive, është lidhur direkt përmes kabllos, e që me këto veprime e ka pamundësuar regjistrimin e saktë të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarës KEDS – Distrikti Gjakovë, i ka shkaktuar dëmin në vlerë prej 102 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale ”, nga neni 320, të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi