Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për vjedhje të rrymës

Raporti për web- rasti Besnik Hajrizi- 6 dhjetor 2018
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Dhjetor 6, 2018

Mitrovicë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ndaj të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, Besnik Hajrizi.

Shkak i shtyrjes së kësaj gjykimi, ka qenë mungesa e të akuzuarit Besnik Hajrizi.

E po ashtu, nuk ka prezantuar as përfaqësuesi i palës së dëmtuar KEDS-it, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e çështjes, Branka Semenov, njoftoi se fletëkthesa për të akuzuarin, Besnik Hajrizi është kthyer në gjykatë se është e panjohur.

Ndërsa, për mos prezencën e palës së dëmtuar gjykatësja Branka Semenov, bëri të ditur se nga administrata e KEDS-it, është njoftuar së nuk do të jetë i pranishëm  përfaqësuesi i tyre, për arsye që, siç tha ajo, kanë qenë në një gjykim tjetër në Gjykatën Themelore në Mitrovicë- dega në Vushtrri.

E pranishme në këtë seancë ishte vetëm prokurorja Danjela Batkoviq.

Andaj në këto rrethana gjykatësja Semenov, ka shtyrë gjykimin më 15 janar 2019, me ç` rast ka thënë se të akuzuarit Hajirizi, ftesa do t’i dorëzohet përmes Stacionit Policor, ndërsa pala e dëmtuar do të ftohet në mënyrë të rregullt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themeloren në Mitrovicë, Besnik Hajrizi, në lokalin e tij në barnatoren “Andol” në Mitrovicë, ka shfrytëzuar energjinë elektrike pa autorizim të furnizuesit, duke i shkaktuar dëm KEDS-it në vlerë rreth 1.130.76 euro.

Me këtë prokuroria po pretendon se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale” nga neni 320 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.