Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për uzurpim të paligjshëm të pronës

20190910_091857
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shtator 10, 2019

Istog – Mungesa e të akuzuarit për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Zeqir Vuthaj, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog.

Gjykatësi Arben Mustafaj tha se i akuzuari Vuthaj ka qenë i njoftuar nga seanca paraprake për mbajtjen e gjykimit, por sipas tij, ai nuk është paraqitur në gjykatë edhe përkundër faktit që ka qenë i njoftuar, duke mos e arsyetuar mosardhjen e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata nxjerrë aktvendim me të cilin e shtynë seancën, ndërsa seanca e radhës caktohet të mbahet më 29 tetor 2019 ora10:00”, tha gjykatësi Mustafaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë, më 24 maj 2019, ndaj të akuzuarit Zeqir Vuthaj, i cili akuzohet se, që nga viti 1999 e tutje, në fshatin Lubozhdë, Komuna e Istogut, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarve Ranko dhe Radomir Ristiq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri është futur në posedim të paluajtshmerisë të evidentuar me numër P-70806031-00077-24, në sipërfaqe prej 2.970 metra katrorë, zona kadastrale Lubozhdë.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri paluajtshmërinë e punon për nevoja personale dhe nuk pranon ta lirojë, edhe përkundër faktit se të dëmtuarit janë titullarë të drejtës së pronësisë mbi paluajtshmërinë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 320 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi