Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit

unnamed
Author

Raporton: Egzon HALILI

Dhjetor 2, 2019

 

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit për veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, Egzon Gashi.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Gashi, për të cilin gjykata ka prova se ai është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo sipas gjykatësit Hanefi Jashari, familjarët e të akuzuarit, kanë deklaruar se ai ka udhëtuar jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, prezent në këtë seancë ishte prokurori Shpend Krasniqi.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar, gjykatësi Hanefi Jashari, seancën e radhës e ka caktuar më 13 janar 2020, në ora 09:00.

Gjykatësi Jashari ka njoftuar se për të akuzuarin Gashi do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 mars 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Egzon Gashit, për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 300, paragrafi 2 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 6 janar 2017, derisa NJHKEK në Prishtinë së bashku me zyrtarët e ATK-së, gjatë një kontrolli në lokalin qe gjendet në rrugën “Xheladin Hana”, në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, pronar i së cilit është i akuzuari, janë hasur pesë aparate të lojërave të fatit, dy nga ata të markës “MERKUR”, dy të markës “KAYOT” dhe një i markës “ACT”.

Në aktakuzë thuhet se pas verifikimit të tyre është konstatuar se aparatet janë të pa licencuar dhe të pa doganuar dhe të njëjtit janë sekuestruar nga Dogana e  Kosovës, me ç’rast i akuzuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër ka organizuar dhe marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit pa u pajisur me licencë, përkatësisht duke operuar ilegalisht. /BetimipërDrejtësi