Mungesa e të akuzuarit shtyn gjykimin për narkotikë, lëshohet urdhëresë ndaj tij

Raporti për web- rasti Erol Dansefa, 16 prill 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Prill 16, 2019

Mitrovicë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndaj të akuzuarit për narkotikë, Erol Dansefa.

Shkak i dështimit të këtij gjykimi, ka qenë mungesa e të akuzuarit Dansefa, ndërsa e pranishme ishte prokurorja Natasha Radoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja e rastit Branka Semenov, bëri të ditur se i akuzuari ka pranuar fletëkthesen në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Andaj, në këto rrethana ajo ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, duke e shtyrë më 10 maj 2019, në ora 10:00, ndërsa ka njoftuar se ndaj të akuzuarit Dansefa  do të lëshojë urdhëresë për sjellje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 4 dhjetor 2018, Erol Dansefa, po akuzohet se më 3 gusht 2018, në pjesën jugore të Mitrovicës, në parkun e qytetit prapa komunës, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar substancë narkotike.

Në aktakuzë thuhet se gjatë punës operative në terren të njësitit DHTN të Stacionit Policor në Jug të Mitrovicës, gjatë kontrollit te i akuzuari është gjetur një cigare me substance narkotike kanabis (marihuanë) me Tetrahidrokanabinol ( THC) me peshë totale prej 0.48 gram, të cilën e ka përdorur për nevoja personale.

Me këtë, organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 275 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi