Mungesa e të akuzuarit sërish pamundëson fillimin e gjykimit për bixhoz të paligjshëm

Gjykata54
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 13, 2020

Prishtinë – Për herë të dytë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar fillimi i gjykimit ndaj të akuzuarit për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, Egzon Gashi.

Një gjë e tillë, ka ndodhur edhe në seancën e së hënës, pasi që ka munguar i akuzuari Gashi.

Gjykatësi Hanefi Jashari, ka njoftuar se gjykata ka prova se i akuzuari Gashi është ftuar në mënyrë të rregullt, ku në fletëkthesë, sipas tij, është konstatuar se i akuzuari ka udhëtuar jashtë vendit.

Ndërsa, në këtë seancë ka qenë prezent prokurori Shpend Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi fillestar, gjykatësi Jashari e ka shtyrë seancën për 6 shkurt 2020, nga ora 10:00, ku për të akuzuarin tha se do të ftohet me urdhëresë.

Seanca e kaluar që kishte dështuar të mbahet është ajo e 2 dhjetorit 2019, për arsye se kishte munguar i akuzuari Gashi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 mars 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Egzon Gashit, për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 300, paragrafi 2 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 6 janar 2017, derisa NJHKEK në Prishtinë së bashku me zyrtarët e ATK-së, gjatë një kontrolli në lokalin qe gjendet në rrugën “Xheladin Hana”, në lagjen “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, pronar i së cilit është i akuzuari, janë hasur pesë aparate të lojërave të fatit, dy nga ata të markës “MERKUR”, dy të markës “KAYOT” dhe një i markës “ACT”.

Në aktakuzë thuhet se pas verifikimit të tyre është konstatuar se aparatet janë të pa licencuar dhe të pa doganuar dhe të njëjtit janë sekuestruar nga Dogana e  Kosovës, me ç’rast i akuzuari me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër ka organizuar dhe marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit pa u pajisur me licencë, përkatësisht duke operuar ilegalisht. /BetimipërDrejtësi