Mungesa e të akuzuarit ka bërë të shtyhet në kohë të pacaktuar seanca për vjedhje të shërbimeve

Suhareka
Author

Raporto: Flutura Rraqi

Janar 26, 2021

Suharekë – Është shtyrë në kohë të pacaktuar seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Avdulla Shala, i cili nga Prokuroria Themelore në Prizren, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve”.

Deri te shtyrja ka ardhur pasiqë i akuzuari Shala, pavarësisht se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e sotme, mungesën nuk e ka arsyetuar.

I pranishëm në seancë ka qenë vetëm prokurori i çështjes Musli Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtari i çështjes Qemail Suka, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, seancën e sotme e ka shtyrë për kohë të pacaktuar, ndërsa ndaj të akuzuarit Shala ka lëshuar urdhërarrest.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i akuzuari Avdullah Shala, akuzohet se më 23 janar 2020, në shtëpinë e tij familjare në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës, me qëllim që të përfitoj nga shërbimi komunal përmes rrjetit përques të rrymë, pa autorizim të furnizuesit të autorizuar, me anë të një kablli lidhet në mënyrë direktë në rrjetin elektrik, duke ia mundësuar vetës marrjen e shërbimeve elektrike pa orë, ku energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, kështu duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarës “KEDS”, distriktit në Prizren.

Andaj, me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve” nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi