Mungesa e të akuzuarit dhe të dëmtuarve shtyn gjykimin për rrezikim të trafikut publik

Gjakova-9 12 20119
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Dhjetor 9, 2019

Gjakovë – Mungesa e të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Egzon Koka, si dhe të dëmtuarve, Klisman Kamberi, Afrim Gaxherri dhe Faruk Gaxherri, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit fillestare, e paraparë që të mbahet të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Gjykatësi Drilon Haraçia deklaroi se i akuzuari Koka dhe i dëmtuari Kamberi, kanë qenë të ftuar përmes kërkesës për ndihmë juridike nga Ministria e Drejtësisë, Divizioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar, mirëpo, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigje nga ky dikaster nëse është zbatuar kjo kërkesë.

Ndërsa, të dëmtuarit Afrim dhe Faruk Gaxherri, sipas gjykatësit Haraçia kanë qenë të njoftuar për seancën e së hënës nga seanca 16 shtatorit të këtij viti, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 9 prill 2020, derisa i akuzuari Koka do të ftohet edhe njëherë përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 25 shtator 2017, Egzon Koka po ngarkohet me veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 378, paragrafi 6-8 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 29 tetor 2016, rreth orës 5:30, në rrugën magjistrale Deçan në drejtim të Gjakovës, pikërisht në fshatin Skivjan, duke shkelur Ligjin për Rregullat e Trafikut Publik, në atë mënyrë që nën ndikim të alkoolit duke e drejtuar automjetin e markës “Audi A3”, duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave të rrugës me kthesë dhe në pamundësi që automjetin e tij ta mbaj në shiritin e tij, për një moment humb kontrollin mbi automjetin e tij dhe kalon në shiritin e kundërt të rrugës, ku si pasojë me pjesën e parë ballore të automjetit e godet po ashtu në pjesën ballore të anës së majtë automjetin “Opel Kadet”, të cilën po e drejtonte i dëmtuari Afrim Gaxherri, me ç’rast përveç dëmeve materiale, lëndime trupore pësojnë, Bledar Koka, Faruk Gaxherri, Afrim Gaxherri dhe Klisman Kamberi, të përshkruar si në ekspertizën mjekoligjore të Dr.Musa Gashi, e 4 korrikut 2017. /BetimipërDrejtësi