Mungesa e të akuzuarit dhe të dëmtuarit shtyn gjykimin për uzurpim prone

47485837_732532623792257_6367275585957265408_n
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Dhjetor 6, 2018

Lipjan – Mungesa e të akuzuarit, Minir Haxhimusa dhe e të dëmtuarit Besim Sylejmani, ka bërë që të dështojë seanca e shqyrtimit gjyqësor, për uzurpim i paligjshëm të pronës së paluajtshme, e paraparë të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Gjykatësi i çështjes Selman Salihi, ka deklaruar se palët janë ftuar në mënyrë të rregullt dhe ftesën e kanë pranuar, por nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre dhe  nuk kanë kërkuar të shtyhet seanca.

Meqenëse, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance gjyqësore, ai mori aktvendim duke e shtyrë këtë seancë për 12 shkurt 2019, në ora 09:00, ku me thirrje do të ftohen i akuzuari Minir Haxhmusa, mbrojtësi i tij, avokati Urhan Qosa, si dhe i dëmtuari Besim Sylejmani.

Në këtë seancë, ishte prezent prokurori Remzush Latifi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 nëntor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj tani të akuzuarit Minir Haxhimusa, të cilën e akuzon për veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 323 par.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 28 maj 2016, në kohë të pacaktuar, në Ferizaj në rrugën “Enver Topalli”, në mënyrë të kundërligjshme, i akuzuar Haxhimusa, ka uzurpuar pronën e paluajtshme dhe atë tri depot që gjenden prapa dy parkingjeve të cilat janë të tij, i cili ka bërë rrethimin e parkingjeve, me të cilin rast ka bllokuar qasjen në depot e të dëmtuarit Besim Sylejmani.