Mungesa e të akuzuarit dhe e ekspertit të ndërtimtarisë shtyn gjykimin për uzurpim prone

Drenas
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Shtator 18, 2019

Drenas – Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ndaj të akuzuarit për uzurpim prone, Mehdi Gjoka.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e të akuzuarit Gjoka, si dhe e ekspertit të ndërtimtarisë dhe arkitekturës, Murat Meha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i çështjes, Shefqet Baleci, tha se i akuzuari Gjoka dhe eksperti Meha, kanë qenë të njoftuar gojarisht dhe përmes procesverbalit nga seanca e kaluar, por mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Seanca e radhës është caktuar më 9 tetor 2019, nga ora  09:30.

E pranishme në seance ishte prokurorja Ilirjana Çollaku-Tafa.

Për të akuzuarit Gjoka, gjykata mori aktvendim që ndaj tij të lëshohet urdhëresë për sjelljen e tij me forcë, kurse palët tjera do të ftohen me ftesë të rregullt.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 16 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër Mehdi Gjokës, të cilin e ngarkon se prej 7 korrik 2015 e këtej, në mënyrë të kundërligjshme, ka uzurpuar pronën e paluajtshme të të dëmtuarit Haxhi Binaku, dhe atë ngastrën kadastrale me nr.126, në vendin e quajtur “Utrina Sello”, në sipërfaqe prej 0.20.00ha, me ç`rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi