Mungesa e të akuzuarit dhe avokatit shtyn gjykimin ndaj ish-drejtorit për Buxhet dhe Financa në Kllokot

78886567_526298397958663_5836093070378008576_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Dhjetor 10, 2019

Gjilan – Sërish ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj ish-drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikola Nojkiq, i akuzuar për keqpërdorim pozite.

Si arsye e dështimit të kësaj seance, ishte mungesa e të akuzuarit Nojkiq, si dhe mbrojtësit të tij, avokatit Ymer Huruglica, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, ka njoftuar se pasi sekretarja juridike e ka njoftuar avokatin Huruglica për seancën e së martës përmes telefonit, ai i ka thënë asaj se ka qenë në dijeni se kjo seancë ka qenë e caktuar për 10 janar 2020, e jo më 10 dhjetor të këtij viti.

Gjithashtu, sipas gjykatësit Haziri, avokati Huruglica për këtë datë paraprakisht e kishte njoftuar edhe të mbrojturin e tij, Nikola Nojkiq.

Edhe seanca e 3 dhjetorit të këtij viti kishte dështuar të mbahet në mungesë të kryetarit të trupit gjykues, Zyhdi Haziri dhe gjykatësit Agim Ademi.

Seancën tjetër, gjykatësi Haziri e ka caktuar të mbahet më 10 janar 2020, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të përpiluar më 22 qershor 2018, Nikola Nojkiq akuzohet se nga gushti 2015 e deri maj 2016, në cilësinë e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në atë mënyrë që pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviq, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Në këtë mënyrë, prokuroria pretendon se i akuzuari ka përfituar për vete, ndërsa Komunës së Kllokotit i ka shkaktuar dëm në shumën e lartcekur. /BetimipërDrejtësi