Mungesa e të akuzuarit bënë që të dështojë gjykimi për vjedhje të rrymës

IMG_2191
Author

Raporton: Egzon HALILI

Tetor 16, 2020

Vushtrri – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, ka dështuar të mbahet seanca fillestare  në rastin ku i akuzuari, Fehmi Veseli po akuzohet për vjedhje të shërbimeve.

Shkak i dështimit të seancës fillestare të së premtes, ka qenë mungesa e të akuzuarit Veseli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Agron Maxhuni, ka deklaruar se i akuzuari e ka nënshkruar thirrjen me emër dhe mbiemër pa specifikuar se a është vetë pala.

Ndryshe prezent në këtë seancë ka qenë prokurori Bogdan Shpadijer si dhe përfaqësuesi i palë së dëmtuar KEDS, Genc Hasani.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Maxhuni ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet më 16 nëntor 2020, në ora 09:30.

Gjykatësi Maxhuni ka bëtë të ditur se i akuzuari Veseli për seancën e radhës do të ftohet përmes urdhrit për dërgimin e ftesës përmes policisë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 22 shtator 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Fehmi Veseli për veprën penale “Vjedhja e shërbimeve” nga neni 314 par. 6 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se nga data e pacaktuar e deri më 21 maj 2020, në lokalin e vet në Vushtrri, kur nga ana e personave të autorizuar të KEDS-it, është vërtetuar, me qëllim që vetit t’i sjell dobi të kundërligjshme pasurore, pa autorizim ka përdorur shërbimet e furnizimit me energji elektrike për të cilat e ka ditur se mundësohen vetëm në shkëmbim të pagesës në atë mënyrë, që duke manipuluare me vulën distributive në shtyllën elektrike është kyçur drejtpërdrejt duke shmangur regjistrimin e shpenzimit të energjisë elektrike përmes njehsorit me nr.32591250, e me këtë i është shkaktuar dëm material KEDS-it, në shumën prej 3,930.44 euro, sipas kalkulimit të kryer nga ana e shërbimit të autorizuar të KEDS-it. /BetimipërDrejtësi