Mungesa e prokurorit shtynë gjykimin për vrasjen që kishte ndodhur me 1999 në fshatin Rudicë të Klinës

IMG-20210412-WA0000
Author

Raporton: Driton NOCAJ dhe Arlinda MUQA

Prill 12, 2021

Pejë – Mungesa e prokurorit Haxhi Sinanaj u bë shkak që të mos mbahet seanca e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, për rastin ku Bujar Bajraktari po akuzohet se në vitin 1999, në fshatin Rudicë të Komunës së Klinës, me dashje e ka privuar nga jeta të ndjerin Cenë Malisheva.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova bëri të ditur se prokurori Sinanaj ishte ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së hënës, por që mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk është prezent prokurori i shtetit Haxhi Sinanaj, i cili ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar”, tha Husaj-Rugova.

Prezent në sallë të gjykimit nuk ishin as të dëmtuarit Arsim dhe Rabishe Malisheva, për të cilët gjykatësja tha se ishin njoftuar për seancën, mirëpo të njëjtit nuk janë paraqitur.

Duke qenë se të dëmtuarit gjenden në Gjermani, gjykatësja kishte kërkuar që dëgjimi i tyre të bëhet përmes video-linkut, mirëpo nga përgjigja e autoriteteve gjermane, konstatohet se një gjë e tillë nuk ishte e mundur.

“Prokurori i Lartë e ka njoftuar Gjykatën përmes Ministrisë së Drejtësisë që për seancën e sotme nuk është i mundur dëgjimi i tyre, për shkak se e dëmtuara Rabishe është në gjendje jo të mirë shëndetësore, kurse Arsim Malisheva nuk ka pranuar me dhanë deklaratë”, tha Husaj-Rugova.

Gjykatësja deklaroi se gjykimi do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, pasi tha se mungesa e të dëmtuarve nuk është pengesë për mbajtjen të njëjtit.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me  27 maj 2021, në ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, me 6 mars 2020, i pandehuri Bujar Bajraktari ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

 

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 shkurt 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Bujar Bajraktari akuzohet se me 29 gusht 1999, rreth orës 18:00, në fshatin Rudicë të Komunës së Klinës, me dashje e ka privuar nga jeta të ndjerin Cenë Malisheva nga fshati Kijevë, Komuna e Klinës.

Sipas hetimeve të cilat kanë rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj të pandehurit, theksohet se në ditën kritike i pandehuri kishte pasur një mosmarrëveshje me viktimën, në oborrin e tani të ndjerit.

Sipas Prokurorisë së Pejës, pas fjalosjes mes tyre, i pandehuri e kishte goditur viktimën me shuplakë, e pastaj nga një qerre kali kishte nxjerrë një shufër druri dhe me të e kishte goditur viktimën në anën e pasmë të kokës, me ç’rast i ka shkaktuar plagosje të rëndë trupore me gjakderdhje të brendshme, nga shkaku i të cilave plagë, viktima ka vdekur me 30 gusht 1999, në Spitalin Regjional në Pejë. /BetimipërDrejtësi