Mungesa e prokurorit shtynë gjykimin për vrasjen e vitit 2018 në Deçan

Peje
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 29, 2020

Pejë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të vazhdojë gjykimi për vrasjen në Deçan, që kishte ndodhur në shtator të vitit 2018, për çka po akuzohet Shaban Gogaj.

Ai po akuzohet për dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa Jusuf Cacaj po akuzohet për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i dështimit të seancës ishte mungesa e prokurorit Agron Uka, për të cilin kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova bëri të ditur se i njëjti e kishte njoftuar atë përmes emailit se nuk mund të jetë prezent në sallë të gjykimit, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Gjykatësja Husaj-Rugova tha se të gjitha palët ishin njoftuar me kohë për shtyrjen e kësaj seance.

Kurse, gjykimi për këtë rast pritet të vazhdoj më 11 dhe 18 shtator 2020, ora 10:00.

Ndryshe, këtë çështje penale fillimisht e ka përfaqësuar Prokuroria Themelore në Pejë, por me arsyetimin se ajo ka shfaqur njëanshmëri, kërkesë për përjashtimin e saj nga ky rast, kishte bërë mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, avokati Besnik Berisha, të cilën kërkesë e kishte aprovuar Prokuroria e Apelit.

Tashmë kjo lëndë është duke u përfaqësuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së ngritur Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, e akuzon  të pandehurin Shaban Gogaj se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj, dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë, nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut, kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.

Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë, dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr dhe menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.

Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës. /BetimipërDrejtësi