Mungesa e prokurorit shtyn gjykimin ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë

111122
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Gusht 13, 2019

Pejë – Mungesa e prokurorit Haxhi Sinanaj, ka bërë që të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, të mos mbahet seanca ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Agron Avdullahu.

Kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, ka thënë se prokurori Sinanaj, ishte ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së martës, mirëpo që ai nuk është paraqitur për shkak se gjendet në pushim vjetor.

Seanca e radhës është caktuar më 10 tetor 2019, nga ora 10:00.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avdullahu, avokati Bekë Lajqi, ka kërkuar nga trupi gjykues që të mbrojturit të tij t’i ndryshohet masa e paraburgimit me ndonjë masë tjetër alternative, pasi sipas tij, kanë pushuar kushtet ligjore për një masë të tillë.

Por, lidhur me këtë, gjykatësi Lokaj, ka thënë se do të merr aktvendim të veçantë.

Sipas shkresave të lëndës, i akuzuari kishte qenë në arrati në shtetin e Gjermanisë deri më 26 shkurt 2019, ku ishte arrestuar në bazë të fletërreshtimit ndërkombëtar, ndërsa nga Gjermania, është ekstraduar në Kosovë, më 16 maj 2019.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 tetor 2015, Agron Avdullahu akuzohet se më 19 gusht 2014, rreh orës 20:00, në fshatin Vitomericë të Pejës me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme ka marrë sendet e luajtshme të cilat janë pronë e të dëmtuarit Demir Asllani.

Sipas aktakuzës pasi që i pandehuri sigurohet se askush nuk gjendet tek shtëpia e të dëmtuarit, me forcë e hap dritaren e dhomës së sallonit dhe pasi ka depërtuar brenda shtëpisë ka përvetësuar telefonin të tipit “Iphone”, një pushkë gjuetie, tri unaza ari me vlerë 450 euro, dy burme ari, tri byzylyk me vlerë prej 600 euro, dy palë vath në vlerë prej 300 euro, dy komplete argjendi me mbishkrim “Sfarowski”, me vlerë 400 euro, një komplet ari me vlerë 150 euro, një unazë me mbishkrim “Safari”, dy komplete argjendi “Bugari”. /BetimipërDrejtësi