Mungesa e prokurorit dhe avokatëve shtyn gjykimin ndaj kontabilistes së akuzuar për përvetësim në detyrë

Rasti i Natyra Reka 10.01.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Janar 10, 2019

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj Natyra Reka, e akuzuar se në cilësi të kontabilistes në “Alma” sh.p.k, kishte përvetësuar gjatë kryerjes së detyrës.

Ndonëse, avokatët që dy ditë po bojkotojnë seancat në gjykata, në këtë seancë i pranishëm nuk ishte as prokurori, që në seancën e fundit që e ka përfaqësuar këtë lëndë ka qenë Feti Tunuzliu.

Gjykatësi Hamdi Ibrahimi, tha se kishte pranuar një parashtresë nga ana e Prokurorit të Shtetit, më 9 janar të këtij viti, në të cilën thuhej se prokurori që ka përfaqësuar këtë lëndë seancat paraprake është në pushim vjetor.

Andaj në mungesë të prokurorit dhe avokatëve Mentor Neziri, mbrojtës i të akuzuarës Natyra Reka dhe Ali Beka avokat i palës së dëmtuar, seanca është shtyrë.

Sipas Ibrahimit, seanca e radhës pritet të vazhdojë më 21 shkurt 2019 në orën 09:30.

Ndryshe në këtë seancë, gjykatësi Ibrahimi njoftoi palët që është ndërruar anëtari i trupit gjykues, pasi që gjykatësi Vehbi Kashtanjeva ka dal në pension, kurse në vend të tij tani do të jetë gjykatësja Violeta Namani.

Në seancën e fundit të mbajtur për këtë rast më 13 nëntor 2018, kishte qenë prokurori Feti Tunuzliu, ndërsa ishte vendosur që të bëhej një ekspertizë grafologjike.

Mungesa e avokatëve në këtë seancë është bërë për shkak të bojkotit që të njëjtit po iu bëjnë gjykatave në gjithë vendin, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj rekomandimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) drejtuar gjykatave të Kosovës, për kufizimin e qasjes në objektin e gjykatave, përjashtimisht kur avokatët kanë ftesa apo në bazë të lejes së kryetarit të gjykatës përkatëse, apo gjykatësit të çështjes.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 25 maj 2016 ndaj Natyra Reka me pretendimin se e njëjta kishte kryer veprën penale “përvetësim në detyrë”.

Sipas aktakuzës,  e akuzuara Reka në cilësinë e kontabilistes në kompaninë “Alma”, sh.p.k, si person zyrtar pretendohet se kishte përvetësuar pasurinë e cila iu ishte besuar si kontabiliste.

Sipas këtij akti akuzues, Reka gjatë periudhës kohore nga 26 maji i vitit 2011 e deri më 3 tetor 2012 nuk e kishte dorëzuar rregullisht pazarin ditor në llogarinë rrjedhëse të “Alma” sh.p.k., me ç ‘rast të njëjtës i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 10.360,00 euro.