Mungesa e prokurores shtynë gjykimin për vjedhje të pyllit

Vushtrri
Author

Raporton: Egzon HALILI

Korrik 27, 2020

Vushtrri – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje të pyllit, Adem Mehmeti.

Shkak i mos mbajtjes së kësaj seance ka qenë mungesa e prokurores Stojanka Kasaloviq, për të cilën ka njoftuar gjykatësi i rastit, Agron Maxhuni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi Maxhuni ka marr vendim që e njëjta të shtyhet në afat të pacaktuar kohor.

Ndërsa për seancën e radhës ka bërë të ditur qe palët do t’i ftojë me ftesa në mënyrë të rregullt.

Ndryshe sipas aktakuzës Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 15 nëntor 2019, Adem Mehmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e pyllit” nga neni 358, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se më 8 nëntor 2018, në pyllin shoqëror i cili është pronë e Komunës së Vushtrrisë, në fshatin Sllakovc, në vendin e quajtur “Bregu i ulët” ka rrëzuar për shkak të vjedhjes 68 trungje ahu  me diametër 15-18 cm e me gjatësi 12 metra, në sasi të përgjithshme prej 8.48 metra kub, ku dhe ka shkaktuar dëmin prej 1.352,52 euro. /BetimipërDrejtësi