Mungesa e prokurores shtyn gjykimin ndaj punëtorit të ETC-së, i akuzuar se ndërmjetësoi në grabitjen e pazarit ditor

Foto (8)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 8, 2019

Prishtinë – Në mungesë të prokurores Ferdane Sylejmani, është shtyrë gjykimi i paraparë për të  martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj punëtorit të sigurimit në qendrën tregtare, ETC, Muharrem Muqolli, i cili po akuzohet se kishte ndërmjetësuar në grabitjen e pazarit ditor të kësaj kompanie.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala, gjykata në mënyrë të rregullt ua kishte dërguar ftesën Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mirëpo të njëjtit nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, këtë aktakuzë në seancën e kaluar e kishte përfaqësuar prokuroja Ferdane Sylejmani.

Në këtë seancë prezent kanë qenë i akuzuari Muqolli dhe mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku, ndërsa kanë munguar edhe dëshmitarët Arbnore Vrellaku, Imer Haradinaj, Enver Neziraj, Xhevdat Smajli, si dhe përfaqësuesit e ETC-së.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 tetor 2019, në ora 13:10.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 31 tetor 2017, kishte përpiluar aktakuzën ndaj Muharrem Muqollit, për shkak të veprës penale “grabitja”, nga neni 329, par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, me 14 dhjetor 2014, tek zona industriale, te semaforët në Fushë Kosovë, i akuzuari Muqolli, në cilësinë e punëtorit të sigurimit në “ETC”, derisa kishte qenë bashkë me punëtoren-arkëtaren e ETC-së, Arbnore Vrellakun, duke e dërguar pazarin ditor në bankë, punëtorja Vrellaku i kishte vërejtur dy vetura të ndaluara në të dy anët e rrugës dhe e kishte paralajmëruar të akuzuarin Muqolli që të rrit shpejtësinë e lëvizjes, mirëpo ky i fundit e kishte ngadalësuar shpejtësinë.

Në aktakuzë thuhet se në atë moment personat e panjohur ishin afruar në anën ku ishte pasagjerja Vrellaku dhe me çekan e kishte thyer xhamin nga ana e saj, duke bërtitur “çantën, çantën”, në të cilën ishin shuma prej 75.000 euro.

Muqolli sipas aktakuzës, e kishte marrë çantën dhe ia kishte dhënë personit, ndërsa personi tjetër ishte afruar nga ana e tij, e kishte hapur derën, e kishte goditur Muqollin, pastaj i kishte marrë paratë dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes. /BetimipërDrejtësi