Mungesa e prokurores dhe të akuzuarit shtyn gjykimin për vjedhje

Seanca 10.10.2018
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Tetor 10, 2018

Klinë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për vjedhje në bashkëveprim, Fatos Hoxha, e paraparë të mbahet këtë të mërkure, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega Klinë.

Shkak i mos mbajtjes së seancës, u bë mungesa e prokurores së rastit, Sanije Gashi-Seferi dhe e të akuzuarit Hoxha.

Sa i përket mungesës së prokurores, gjykatësja e çështjes, Sabrije Rraci tha se ishte njoftuar nga e njëjta se nuk mund të prezanton në shqyrtimin e së mërkurës pasi që ishte në një trajnim.

Kurse, të akuzuarin Hoxha, i cili gjendet në arrati, sipas gjykatëses Rraci, nuk ka arritur që ta gjej Policia e Kosovës, pasi ndaj tij më herët ishte lëshuar udhërrarrest.

Kështu, në mungesë të prokurores dhe të akuzuarit, gjykatësja Rraci mori aktvendim me të cilin, seanca u shty deri sa të krijohen kushtet ligjore për mbajtjen e saj.

Ndaj të akuzuarit Hoxha po ashtu, u lëshua edhe letër rreshtim vendor.

I akuzuari në këtë rast është edhe Fikret Rama, mirëpo, gjykatësja e çështjes kishte veçuar procedurën penale, për shkak të pamundësisë për të siguruar edhe praninë e të akuzuarit Hoxha.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Fatos Hoxha dhe Fikret Rama, akuzohen se më 3 shkurt 2016,  tek firma “Bujari Elektronik”, e cila gjendet në lagjen “Arbëria”,  në bashkëveprim dhe me qëllim që vetës t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme kanë përvetësuar pasurinë e pa luajtshme të të dëmtuarit Tahir Vojvoda.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, të akuzuarit e kanë bërë në atë mënyrë pasi që i dëmtuari ishte ndalur në vendin e lartcekur për të blerë disa gjëra shtëpiake dhe automjetin e llojit “Opel Astra” e kishte parkuar, të akuzuarit duke e shfrytëzuar mungesën e të dëmtuarit, afrohen me automjetin “Renault Laguna”, paralel me automjetin e të dëmtuarit, me ç’rast hapin derën e pasagjerit të anës së djathtë të të dëmtuarit, nga ku marrin një çantë dore të firmës “ Michael Corse”, në vlerë prej 270 euro, kozmetikë në vlerë prej 500 euro, një çantë tjetër në vlerë prej 100 euro, një xhaketë në vlerë 50 euro, si dhe një parfum në vlerë prej 300 euro, dhe me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të magjistrales Pejë-Prishtinë.

Me çka, sipas prokurorisë, Hoxha dhe Rama, në bashkëveprim kanë kryer vepër penale të vjedhjes nga neni 325 paragrafi 1, e lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.