Mungesa e prokurores dhe të akuzuarit shtyn gjykimin për asgjësim të pasurisë së huaj

Gjykata Themelore ne Peje
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Shtator 11, 2019

Pejë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për dëmtim apo asgjësim të pasurisë së huaj, Ermal Demaj.

Arsyeja e dështimit të gjykimit ishte mungesa e prokurores Lumturije Hoxha dhe e të akuzuarit Demaj.

Gjykatësi Ahmet Rexhaj, tha se i pandehuri dhe prokurorja janë ftuar në mënyrë të rregullt,  mirëpo mungesën nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Rexhaj, me aktvendim ka lëshuar urdhërarrest ndaj të akuzuarit, duke konstatuar se seanca e radhës do të mbahet pasi që të sigurohet prezenca e të pandehurit për seancë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejës, Ermal Demaj akuzohet se më 11 janar 2019, në Pejë, tek hoteli “Shala”, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e tjetrit, pikërisht të pronarit të hotelit, Milazim Shala.

Në akuzë thuhet që i pandehuri kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga recepsionisti ka kërkuar që të shkojë tek dhoma nr.128 dhe pasi që recepsionisti një gjë të tillë nuk ia lejon, i pandehuri fillimisht e shanë, e më pas në shenjë revolte e merr një bisht të sëpatës dhe me të i thyen xhamat e hotelit, për çka të dëmtuarit Shala i shkakton dëme materiale, në shumë prej 2600 euro. /BetimipërDrejtësi