Mungesa e njërit nga dy të paditurit shtyn seancën në rastin ku paditësi kërkon kthimin e borxhit

Lavdim-Bajraktari-Rasti-Hidajete-Murati-vs.-Croatia-Sigurimi-16.07.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 17, 2018

Prishtinë – Është shtyrë për muajin shtator seanca gjyqësore, ku paditësi Avni Maxhuni po kërkon pagesën e një borxhi nga ana e të paditurve, Qazim dhe Naser Sopjani.

Shkak i shtyrjes ishte mungesa në seancë e të paditurit të parë, Qazim Sopjani.

Gjykatësi i këtij rasti, Adnan Konushevci, tha se nuk ka prova që i padituri i parë është ftuar me rregull për seancë.

Sipas gjykatësit, në fletë kthesën që ka në shkresat e lëndës thuhet se adresa e të paditurit Qazim Sopjani, është e panjohur.

Andaj, gjykatësi e obligoi paditësin, që brenda afatit prej tre ditësh, të ofron për gjykatën adresën e saktë të të paditurit Qazim Sopjani, në të kundërtën, padia sipas tij, do të konsiderohet e tërhequr për sa i përket të paditurit të parë.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 17 shtator, ora 11:00.

Në padinë e paraqitur nga ana e paditësit Avni Maxhuni, në maj të vitit 2011, thuhet se paditësi i kishte shitur të paditurit të parë, Qazim Sopjanit, një banesë prej 77 m2,  në vlerë prej 57 mijë e 700 euro, e të cilat para, sipas padisë është dashur të kompensohen me punë nga ana e të padituri Sopjani.

Mirëpo, sipas padisë, i padituri i parë nuk e kishte përmbushur këtë obligim në tërësi dhe në ndërkohë, të njëjtën banesë ia kishte shitur, Xhevdet Fazliut, pa u konsultuar paraprakisht me paditësin.

Tutje, në padi thuhet se pasi që i padituri i kishte mbetur borxh 57 mijë 700 euro paditësit për këtë banesë, të njëjtit kishin arritur një marrëveshje me shkrim ashtu që i padituri kishte marr për obligim që t’i paguhet në tërësi çmimi i banesës paditësit, e tek pastaj blerësi të hyjë në posedim.

Nga ky transaksion, sipas padisë, i padituri i parë i kishte mbetur borxh paditësit 13 mijë euro.

Gjithashtu, në padi thuhet se, i padituri i parë, Qazim Sopjani dhe i padituri i dytë, Naser Sopjani, kishin deklaruar me përgjegjësi morale, materiale e penale, se obligimin e mbetur do ta paguajnë në tri këste, mirëpo, një gjë e tillë, sipas padisë, nuk kishte ndodhur.

Andaj, për shkak se të paditurit, sipas padisë, nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre, paditësi i ka propozuar gjykatës që të aprovon padinë e tij dhe të obligon të paditurit Qazim dhe Naser Sopjani, këtë të fundit nëse nuk e paguan borxhin i padituri i parë, që t’ia paguajnë paditësit borxhin prej 13 mijë euro me kamatë ligjore deri në përmbushje definitive.