Mungesa e dëshmitarit shtyn gjykimin ndaj të akuzuarit për përvetësim të mbi 270 mijë eurove

Amiri
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Janar 14, 2020

Mitrovicë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-shefit të kontabilitetit të kompanive “Auto Moto Remont” dhe “Auto Moto Drushtov”,  Srboljub Dimitrijeviq, i akuzuar për përvetësim të mbi 270 mijë eurove.

Shkak për dështimin e seancës, ka qenë mungesa e pronarit të kompanisë “Vlekos”, Dragan Vlemiroviq, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit,.

Këtë dëshmitar, në seancën e kaluar e ka propozuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kapllan Baruti, për shkak se sipas tij, kompania “Velkos”, e kishte mbajtur kontabilitetin e ndërmarrjeve të tani të dëmtuarës.

Lidhur me mungesën e tij, gjykatësi Beqir Halili, ka deklaruar se dëshmitari Velimiroviq e kishte njoftuar gjykatën se nuk do të mund të prezantonte në seancën e së martës.

“Me 13 janar 2020, e ka informuar gjykatën se sot nuk mund të jetë prezent në këtë gjykatore për shkak të udhëtimit zyrtar në Beograd dhe parashtresës ia ka bashkëngjitur edhe urdhrin për udhëtim zyrtar”, tha gjykatësi Halili.

Gjykimi është shtyrë për 3 shkurt 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 26 mars 2019, Srboljub Dimitrijeviq, po akuzohet se në periudhën kohore 1 janar 2005, e deri më 31 dhjetor 2015, në cilësinë e shefit të kontabilitetit në “Auto moto drushtvo” dhe “Auto moto Remont” në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari te UNMIK-u, e pastaj edhe të Agjencia e Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve “Auto moto drushtvo” Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës.

Bazuar në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që duke mos regjistruar në evidencat e kontabilitetit kthimin e akontacioneve (paradhënieve të punëtoreve), duke tërhequr para kesh nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273.107.39 euro.

Me këtë, organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK. /Betimipërdrejtësi