Mungesa e dëshmitarëve shtyn gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e vitit 2012 në Lipjan

A.AGUSI
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 13, 2019

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku Arian, Mentor, Shpend dhe Xhevahir Agushi, për herë të tretë po gjykohen nën akuzën se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Pas kthimit për herë të dytë në rigjykim, gjykata të premten kishte paraparë dëgjimin e dëshmitarëve Fatos dhe Raif Demiri, por të njëjtit ndonëse ishin ftuar në mënyrë të rregullt, nuk kanë marrë pjesë në seancë dhe as mungesën nuk e kishin arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo ishte paraparë të mbahej nga ora 9:30, por që për shkak të mungesës së të akuzuarve të cilët gjenden në liri, filloi me vonesë.

Po ashtu, gjykata priti edhe ardhjen e dëshmitarëve, por të njëjtit nuk u paraqitën për seancë.

Meqenëse, dëshmitarët nuk prezantuan në këtë seancë, me propozimin e prokurores së rastit, Shemsie Asllani, seanca u ndërpre, për të vazhduar më 24 janar 2020, nga ora 9:00.

Gjatë kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit Arian Agushi, i cili nga viti 2012, gjendet në masën e paraburgimit, avokati Isuf Bytyqi, kërkoi nga gjykata se me arsyetimin se kanë përfunduar shkaqet për të cilat është shqiptuar masa e paraburgimit, e njëjta t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Por, një propozim i tillë u refuzua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Naser Foniqi, i cili tha se gjykata e ka vazhduar këtë masë, pasi që sipas, akoma ekzistojnë shkaqet që i akuzuari Agushi të qëndrojë nën këtë masë.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit dy herë, dhe pas kthimit për herë të dytë, nga gjykatësja Shpresa Hasaj – Hyseni, kishte kaluar tek gjykatësi Naser Foniqi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kthimit në rigjykim në prill të këtij viti, i kishte dënuar me mbi 41 vjet burgim të akuzuarit Arian, Mentor, Shpend dhe Xhevahir Agushi, të cilët akuzoheshin se në vitin 2012, në bashkëkryerje dhe me dashje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kishin rrezikuar jetën e të tjerëve.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 15 prill 2019, nga gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni, Arian Agushin e kishte dënuar me 21 vjet burgim, Mentor Agushi me 11 vjet burgim, ndërsa të akuzuarit Shpend dhe Xhevahir Agushi, ishin dënuar me nga 4 vjet e 10 muaj burgim.

Ndërsa, Arian Agushi në mungesë të provave ishte liruar nga akuza për veprën penale “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa ndaj të gjithë të akuzuarve për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, është shqiptuar aktgjykim refuzues, pasi për këtë vepër prokurori Armend Hamiti, është tërhequr nga ndjekja penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor 2015, po ashtu kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve, me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë, për veprat penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Të njëjtit i kishte dënuar me rreth 38 vjet burg, ashtu që i akuzuari Arian Agushi ishte dënuar me 19 vjet burgim, Mentor Agushi me 14 vjet, ndërsa Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi ishin dënuar me nga 5 vjet burgim.

Aktgjykimin e shkallës së parë e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit, me rastin e shqyrtimit të ankesave të deponuara nga të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre, mirëpo pasi lënda kishte shkuar në shkallën e tretë, Gjykata Supreme e Kosovës kishte anuluar të dy aktgjykimet dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallën e parë.

Sipas aktakuzës, së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2012, Arian Agushi, Mentor Agushi, Shpend Agushi dhe Xhevahir Agushi, akuzoheshin se në bashkëkryerje me dashje e kanë privuar nga jeta të ndjerin, Ramadan Demiri dhe kanë rrezikuar jetën e të tjerëve.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit me 12 prill 2012, në fshatin Gadime e Epërme, në Lipjan, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, me paramendim, kanë shkuar në arën e të dëmtuarit Nuredin Demiri, cili ishte duke punuar me djalin e tij, kishin sulmuar të dëmtuarin Nuredin Demiri.

Sipas aktakuzës, me të shkuar në arën e të dëmtuarit, i akuzuari Mentor Agushi, kishte gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe e kishte goditur në këmbën e djathtë.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohej se me pushkën e gjuetisë gjuan në drejtim të Ramdan Nuredini, të cilit i shkakton plagë vdekjeprurëse.

Katër të pandehurit akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shitje të paautorizuar të armëve.

Ndërsa, Arian Agushi akuzohej edhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, pasi kishte shtënë disa herë me armë në oborrin e stacionit.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /Betimipërdrejtësi