Mungesa e avokatit shtynë gjykimin për korrupsion ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren

image1
Author

Raporton: Liridon PNISHI

Korrik 28, 2020

Prizren – Për shkak të mungesës së avokatit Rexhep Hasani, të martën, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore për rastin ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Avdulla Gashi, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykes, gjykatësja Raima Elezi bëri të ditur se ka kontaktuar me mbrojtësin e të pandehurit, avokain Hasani, i cili e ka njoftuar atë se për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të paraqitet në gjykatës.

Edhe i akuzuari Gashi deklaroi se është njoftuar nga mbrojtësi i tij lidhur me pamundësinë e marrjes pjesë në seancë, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

I njëjti tha se nuk pajtohet që të angazhoj avokat tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues njoftoi palët se e njëtat shtyhet për 14 shtator 2020, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdulla Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës, dhe udhëzimin administrativ, nr. 04/2016 për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 155 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi