Mungesa e avokatit shtynë gjykimin ndaj të akuzuarve për narkotikë

Agim Malushaj
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Prill 12, 2019

Gjakovë – Mungesa e avokatit Driton Dobruna, që mbron të akuzuarin për veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, Agim Malushaj, ka bërë që të dështojë seanca fillestare e së premtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Në këtë rast, për posedim të paautorizuar të narkotikë akuzohet edhe Ekrem Fetahi.

Gjykatësi i rastit Nikollë Komani, ka deklaruar se avokati Driton Dobruna, përmes një parashtrese e ka arsyetuar mos prezencën e tij, pasi ka thënë se gjendet në një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Pejë.

Meqenëse, mbrojta është e detyrueshme për këtë rast, gjykatësi Komani, seancën e radhës e ka caktuar për 30 prill 2019, nga ora 11:00.

Ndryshe, prezent ishte edhe prokurori i rastit Ramiz Buzhala.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 shkurt 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 25 maj 2018, rreth orës 14:40, në Gjakovë, hetuesit e Njësitit për Hetimin e Trafikimin e Narkotikëve, gjatë zbatimit të masave të fshehta ndaj të pandehurit Agim Malushaj, me nofkën “Smoki”, ka ndalur edhe të pandehurin Ekrem Fetahi, i cili ka blerë substanca narkotike të llojit heroinë nga i pandehuri Malushaj, 0.29 gram.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollimit fizik të bërë në trupin e të pandehurit Malushaj është gjetur një qese najloni e tejdukshme e mbushur me substancë në formë pluhuri, ngjyrë kafe, ku pas ekzaminimit laboratorik të forenzikës, është konstatuar se është substancë narkotike e llojit heroinë në peshë 3.30 gramë.

Me këtë, i pandehuri Agim Malushaj akuzohet se ka kryer veprën penale të “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” neni 273 par.1 i KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Ekrem Fetahi akuzohet se ka kryer veprën penale të posedimit të paautorizuar të narkotikut, nga neni 275 par.1 i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi